E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, KLSH: Institucionet 83.2 mln lekë dëm buxhetit

TIRANË- Institucionet shtetërore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 83,2 mln lekësh. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në raportin për 3 mujorin e parë të këtij viti shkelje dhe abuzime në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve, në prokurimet publike, në fushën e pagave dhe shpërblimeve si dhe në shitjen dhe dhënien me qera të pasurisë shtetërore. KLSH saktëson se ky dëm i përket veprimtarisë ekonomike dhe financiare për periudhën kohore nga vitit 2008 në 2010.

Nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohet dëmi që i është shkaktuar financave publike nga administrata tatimore dhe doganore me mbi 6.5 mln lekë. Kështu, në dogana evidentohet një dëm në vlerën e përgjithshme prej 3,9 mln lekësh, i konstatuar kryesisht gjatë kontrolleve në doganën e Elbasanit dhe atë të Kapshticës, si pasojë e detyrimeve doganore të papaguara në zhdoganimet e artikujve të ndryshëm.

Ndërsa në tatim-taksa evidentohet një dëm në vlerën e përgjithshme prej 2,6 mln lekësh. KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin në masën 100% të dëmit të shkaktuar si dhe ka kërkuar marrjen e 181 masave disiplinore dhe administrative. Gjithashtu KLSH ka bërë dy kallëzime penale për Drejtorinë Rajonale Tatimore Elbasan dhe atë të Durrësit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›