E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Politika të punojë për integrimin e vendit

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerëson se bojkoti dhe bllokimi i opozitës janë dy faktorët kryesor, të cilët kanë dëmtuar shumë integrimin e Shqipërinë.

Këtë deklaratë kryeparlamentarja i bëri gjatë takimit me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham.

"Bojkoti dhe bllokimi kanë dëmtuar vendin. Ligjet që kërkojnë votën e opozitës janë gjithnjë në rend të ditës në seancat plenare dhe mosvotimi i tyre nga deputetët e Partisë Socialiste është një bllokim i ri",- nënvizon Topalli.

Sa i përket ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, Topalli sqaron se mazhoranca është e hapur për të diskutuar çdo ndryshim në përputhje me rregulloren e Parlamentit Europian.

“Kam ftuar deputetët e maxhorancës dhe opozitës për ngritjen sa më parë të Komisionit për Reformën zgjedhore, bazuar në rekomandimet e ODIHR",- nënvizoi kryetarja e Kuvendit.

Më tej biseda u ndal në projektin e “WESTMINSTER foundation for democracy", një bashkëpunim mes Dhomës së komuneve të Mbretërisë së Bashkuar dhe parlamentit të Shqipërisë.

Qëllimi i projektit është forcimi i rolit të parlamentit shqiptar në procesin demokratik. Programi përfshin takime dypalëshe mes deputetësh të parlamenteve të dy vendeve si dhe trajnime të stafit parlamentar.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›