E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për rrugën, plagoset me çifte i riu

Policia arreston autorin e plagosjes në banesën e tij, ndërsa ka pranuar krimin


TIRANË- Një sherr i nisur për rrugën e përbashkët, ka përfunduar me plagosjen e një të riu dje në mesditë në kryeqytet, ndërsa autori i dyshuar i krimit është arrestuar pak minuta pas ngjarjes nga policia.


Genci Bollozhani, 20 vjeç, është plagosur me çifte nga fqinji i tij Fatmir Shabani, 54 vjeç, dje rreth orës 12:30, pranë shkollës 9- vjeçare "At Zef Pllumi" në lagjen Selitë të Tiranës, pas një sherri me fjalë dhe konflikti fizik midis tyre.


Nga të dhënat e policisë që i referohen deklarimeve të familjarëve të të dëmtuarit dhe nga deklarimet që ka dhënë autori i dyshuar i ngjarjes dyshohet se sherri midis Bollozhanit dhe Bajramit, ka lindur për rrugën që kalon midis shtëpive të dy protagonistëve të ngjarjes, që banojnë në Selitë.


Mësohet se në fillim midis personave të përfshirë në konflikt ka patur një debat të ashpër në fjalë, ku më pas ka degjeneruar në përdorimin forcës dhe në fund në përdorimin e armës së gjahut.


Në këtë moment, pasi janë konfrontuar fizikisht, 50- vjeçari Shabani ka marrë në shtëpi çiften dhe ka qëlluar në drejtim të Genci Bollozhanit duke e lënë të plagosur me disa plagë në trup.


Pas plagosjes, 20- vjeçari Bollozhani është dërguar nga familjarët e tij në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se gjendja e tij deri në orët e mbasdites ka qenë e rëndë. Sipas policisë dhe dëshmitarëve, largësia midis banesave të tyre, nuk ishte më shumë se pesë metra.


Të njoftuar për ngjarjen, në vendin ku u plagos i riu kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2, të cilët kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të plagosjes, brenda në banesën e tij, shumë pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.


Sipas burimeve policore, personi që dyshohet të ketë kryer plagosjen, nuk është larguar dhe pas arrestimit ai ka pranuar autorësinë.


Pasi është dërguar në ambientet e policisë, autori që dyshohet të ketë kryer krimin, është marrë në pyetje për të mësuar se cilat kanë qenë shkaqet që kanë çuar në lindjen e konfliktit. Ndërkohë policia ka marrë dhe dëshminë e familjarëve të 20- vjeçarit, të cilët edhe këta të fundit kanë dhënë variantin e tyre në lidhje me ngjarjen.


Ndërkohë, fqinjët e të dy personave të përfshirë në konflikt që përfundoi në plagosjen e njërit, shprehen se nuk kanë dëgjuar ditë tjetër ndonjë sherr midis tyre dhe sipas deklarimeve të tyre, gjithçka ka qenë e momentit.


Sipas fqinjëve, shkak mendohet të ketë qenë pretendimi i sejcilës palë për të lënë rrugën e lirë. Ndaj autorit që është arrestuar si personi i dyshuar për plagosjen rëndon akuza e "vrasjes" e mbetur në tentativë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›