Raporti, Rama: Tregues i një Shqipërie që zvarritet
Tiranë-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka quajtur të turpshëm qëndrimin e kryeministrit të vendit, mbajtur fill pas marrjes në dorë të progres raportit të vitit 2008 për Shqipërinë. Raport, që nënvizone kritika në shumë drejtime, dhe jo vlerësime pozitive siç i lexoi Berisha.
Gjatë një konference për shtyp ai ka sqaruar se komenti i detajuar për Progres Raportin e dalë dhe do të bëhet publik në ditët në vijim, pasi të jetë analizuar imtësisht çdo paragraf i tij. “Por, pa asnjë dyshim mund të themi qysh sot, se një raport ku thuhet shprehimisht se “korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz e masiv si në rastin e Shqipërisë”, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë shkak për të folur për suksese”- deklaroi kreu i PS-së.
Sipas tij, duhet të kesh paturpësinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të dështuar sa Sali Berisha, që të flasësh për sukses, duke lexuar një frazë të tillë në Progres Raportin e Komisionit Europian, për një vend si i yni, që sot mbetet prapa dyerve të shtëpisë europiane. E për këtë, ai ka bërë përgjegjës mbajtjen peng të vendit prej 17 vjetësh nga politika e vjetër e një grushti njerëzish, ndër të cilët Sali Berisha është jo vetëm më i papërgjegjshmi dhe më i paafti, por edhe më i paskrupullti.
Duhet të kesh paturpërsinë dhe hallin e madh të një Kryeministri kaq të zënë peng nga korrupsioni, sa Sali Berisha, ka shtuar më tej Rama, që të flasësh për suksese duke lexuar në Progres Raportin e Komisionit Euriopian, se “ligji për prokurimet publike bie në kundërshtim me legjislacionin e BE”, se “Pastrimi i parave, vazhdon të mbetet problem shqetësues”, se “ trafiku i drogës vazhdon të mbetet problem shqetësues”, se “krimi i organizuar dhe trafikimi i qënieve njerëzore vazhdojnë të mbeten probleme shqetësuese”.
“Duhet të kesh praktikisht paturpërsinë e sekserit të një serbi, që për 3 vjet ka bërë fal miqësisë me Kryeministrin e vendit 50 milionë euro në Shqipëri dhe nga ana tjetër hallin e madh të një njeriu që e di fare mirë të vërtetën e Gërdecit, për të bërë atë që Sali Berisha bëri dje, duke e quajtur sukses Progres Raportin, atë që Sali Berisha bëri të hënën, duke mos i dhënë parlamentit asnjë përgjigje për duzinën e dyshimeve të rënda që lidhin Kryeministrin me veprimtarinë e paligjshme të sekserit të tij serb, atë që Sali Berisha e bën tani më prej kohësh, duke na folur për një Shqipëri të lumtur, njësoj si në kohën e të ndjerit Adil Çarçani, kur shqiptarët nuk ushqeheshin dot, ndërsa Televizioni Shqiptar u tregonte pamjet e sukseseve nën udhëheqjen e byrosë politike”- shtoi më tej Rama.
Për Ramën, opozitarët nuk kanë asnjë arsye të gëzohen nga konstatimet shumë shqetësuese të Progres Raportit të Komisionit Europian, por duke qenë se ato janë tregues të një Shqipërie që zvarritet, ndërkohë që Europa fluturon përpara, arsyet për të mos u gëzuar janë edhe më të mëdha.
Ai është shprehur i revoltuar nga paturpësia e Sali Berishës dhe kori i obortarëve të tij, që jo vetëm nuk kanë asnjë aftësi për ta çuar këtë vend përpara, jo vetëm që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri në raport me detyrën karshi shqiptarëve, por nuk kanë as edhe një skrupull në përpjekjet për të fshehur të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tyre, me gënjeshtra dhe shpifje, madje edhe akuza për opozitën.
“Era e madhe e ndryshimit që filloi të fryjë dje në SHBA, pa asnjë dyshim, do të fillojë të fryjë qershorin e ardhshëm edhe në Shqipëri, kur shqiptarët do t’i japin Sali Berishës dhe obortarëve të tij shuplakën e merituar për 4 vjet premtime të pambajtura dhe dështime të padurueshme”- tha ai.
Pyetje
Zoti Rama disa parti politike kanë paralajmëruar vetëm një ditë më parë se mund të shkojnë deri në grevë urie për çështje të Kodit Zgjedhor, për ndryshimet që janë miratuar në Kodin Zgjedhor në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, përsa i përket, le të themi largimit të këtyre partive nga KQZ, nga mundësia për të administruar procesin. Cfarë komenti keni për këtë?
Një nga të paktat pika ku Progres Raporti i KE për Shqipërinë nënvizon qartësisht progres është pika ku flet për Reformën Zgjedhore, dhe ku përcakton shprehimisht meritën e forcës më të madhe të opozitës, pra të Partisë Socialiste. Leximi i këtij vlerësimi edhe përpara oponionit publik nga ana juaj do të ishte një ndihmë e çmuar, për të kthjelluar, si dhe për të forcuar bindjen e domosdoshmërisë së kontributit tonë në këtë proces dhe e meritës sonë të padiskutueshme për suksesin e këtij procesi.