E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportuesi për Kosovën në PE: Serbia të kushtëzohet me EULEX

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Joost Lagendijk ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta kushtëzojë afrimin e mëtejshëm të Serbisë me këtë union, me pranimin e misionit të EULEX-it.

“Përparimi i Serbisë në procesin e integrimeve evropiane dhe përmirësimi i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, janë për t’u lavdëruar – mirëpo, Beogradi nuk guxon të mendojë se qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe afrimi me BE-në janë dy çështje të ndara”, ka thënë Lagendijk, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Ballkanin.

“Dokumenti i KE-së në mënyrë të butë i bën thirrje Serbisë të jetë konstruktive ndaj Kosovës, derisa qëndrimi i BE-së duhet të jetë i qartë: Obstruksioni ndaj misioneve evropiane në Kosovë, nuk do të tolerohet”, ka thënë deputeti holandez Lagendijk.

“Beogradi edhe më tutje po e pengon shtrirjen e EULEX-it në veri të Kosovës. BE nuk guxon t’i lejojë Serbisë të bëjë hapa të mëtejmë drejt anëtarësimit derisa e pengon këtë mision”, ka përfunduar Lagendijk. /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›