E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë

DEKRETI

Më shumë gjyqtarë do të ketë Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet


TIRANË- Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi me propozim të Ministrit të Drejtësisë në ikje Enkelejd Alibeaj, firmosi dekretin e përcaktimit të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në vend.


Duke mos përjashtuar këtu përcaktimin edhe për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit të Krimeve të Rënda.


Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së Presidentit Topi, mësohet se në shtator 2009 kanë vazhduar punën 299 gjyqtarë në Gjykatat e Shkallës së Parë në vend, bashkë me 16 gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda.


Ndërsa, pranë Gjykatave të Apelit dhe Apelit të Krimeve të Rënda në nivel kombëtar kanë vazhduar punën 74 gjyqtarë. Ndërkohë, në dekret Ministria e Drejtësisë ka parashikuar rritjen e numrit të gjyqtarëve që do të punojnë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku në shtator të këtij viti kanë vazhduar punën 61 gjyqtarë, në shtator 2010 përcaktohet rritja e numrit të gjyqtarëve në 64.


Ndërkohë, për vitin 2011, Ministria e Drejtësisë ka parashikuar që të punojnë 67 gjyqtarë, ndërsa për vitin 2012 do të ushtrojnë detyrën e tyre pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë 70 gjyqtarë, civilistë, penalistë dhe tregtarë në varësi të Gjykatës Administrative.


Sipas dekretit të Presidentit Topi, thuhet se "në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 8 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", me propozim të ministrit të Drejtësisë, lëshohet dekreti me nr.6265 duke shfuqizuar dekretin me nr.706, të datës 07.12.1993 "Për caktimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve" dhe dekreti nr. 1111 datë 30.05.1995 "Për një shtesë në numrin e gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve të gjykatave të rretheve" . Më poshtë parashtrohet numri i gjyqtarëve në nivel të Gjykatave të Rretheve dhe të Apelit.

Numri i gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë në vend:
1. Gjykata e Rrethit Berat, 11 gjyqtarë.
2. Gjykata e Rrethit Dibër, 5 gjyqtarë.
3. Gjykata e Rrethit Durrës, 24 gjyqtarë.
4. Gjykata e Rrethit Elbasan, 17 gjyqtarë.
5. Gjykata e Rrethit Fier, 16 gjyqtarë.
6. Gjykata e Rrethit Gjirokastër, 13 gjyqtarë.
7. Gjykata e Rrethit Kavajë, 7 gjyqtarë.
8. Gjykata e Rrethit Korçë, 21 gjyqtarë.
9. Gjykata e Rrethit Krujë, 7 gjyqtarë.
10. Gjykata e Rrethit Kukës, 6 gjyqtarë.
11. Gjykata e Rrethit Kurbin, 6 gjyqtarë.
12. Gjykata e Rrethit Lezhë, 9 gjyqtarë.
13. Gjykata e Rrethit Lushnje, 10 gjyqtarë.
14. Gjykata e Rrethit Mat, 4 gjyqtarë.
15. Gjykata e Rrethit Përmet, 4 gjyqtarë.
16. Gjykata e Rrethit Pogradec, 8 gjyqtarë.
17. Gjykata e Rrethit Pukë, 4 gjyqtarë.
18. Gjykata e Rrethit Sarandë, 9 gjyqtarë.
19. Gjykata e Rrethit Shkodër, 19 gjyqtarë.
20. Gjykata e Rrethit Tiranë, 61 gjyqtarë.
21. Gjykata e Rrethit Tropojë, 4 gjyqtarë.
22. Gjykata e Rrethit Vlorë, 18 gjyqtarë.
23. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, 16 gjyqtarë.

Numri i gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Apelit në vend:
1. Gjykata e Apelit Durrës, 10 gjyqtarë.
2. Gjykata e Apelit Gjirokastër, 6 gjyqtarë.
3. Gjykata e Apelit Korçë, 6 gjyqtarë.
4. Gjykata e Apelit Shkodër, 7 gjyqtarë.
5. Gjykata e Apelit Tiranë, 25 gjyqtarë.
6. Gjykata e Apelit Vlorë, 10 gjyqtarë.
7. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, 11 gjyqtarë.

Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë do të bëhet:
a) 64 gjyqtarë në 1 shtator 2010;
b) 67 gjyqtarë në 1 shtator 2011;
c) 70 gjyqtarë në 1 shtator 2012;

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›