Aksidentet në Vlorë, 3 të vdekur dhe 4 të plagosur
Dy aksidente të rënda janë shënuar dy ditë më parë në aksin rrugor Llogora-Vlorë. Mendohet që moti i keq dhe lagështira e rrugëve të ketë qenë një shkak për këto aksidente, ndërkohë që për rënien e vinçit nuk përjashtohet një defekt në frena. Aksidenti i parë me një viktimë është shënuar rreth orës 18:00 të pasdites së të premtes. 45-vjeçari Arjan Qesko po zbriste rrugën e Llogorasë, e cila ishte mbuluar nga mjegulla. Në një nga kthesat e rrezikshme të Qafës së Llogorasë, ai ka dalë nga rruga duke rënë 800 metra në humnerë. Trupi i pajetë i 45-vjeçarit është gjetur 200 metra larg automjetit tip “Opel” me targa greke. Sipas policisë, shkak mund të jetë bërë përgjumja e drejtuesit të mjetit, por dhe mjegulla e dendur. Ndërkohë që vetëm katër-pesë orë më pas një aksident i rëndë është shënuar në Llogora. Një vinç me gjashtë punëtorë brenda ka dalë nga rruga dhe është përmbysur dhe për pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur rëndë katër të tjerë. Policia, e lajmëruar për këtë aksident, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka mundur të nxjerrë nga vendi ku është përmbysur vinçi dy viktimat dhe katër të plagosurit, këta të fundit duke i transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të Vlorës. Nga hetimet e para në vendngjarje, por referuar edhe dëshmive të katër të mbijetuarve, Mevlan e Artur Avinjaku e Mitrec Dhimo e Vasillaq Maili, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të një problemi te frenat e mjetit. Megjithatë, hetimi për zbardhjen e ngjarjes vazhdon dhe ende nuk është dalë në një përfundim zyrtar. Nga të dhënat paraprake mësohet se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që janë ende nën vëzhgimin e mjekëve.
Ngjarja
Aksident i rëndë rrugor ndodhi në aksin rrugor Himarë-Vlorë, në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të Vlorës, rreth orës 22:30 të dy netëve më parë. Një vinç tip “Ifa” me targa FR 3157 B ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Për pasojë kanë gjetur vdekjen 2 persona, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur. Policia lokale thotë se aksidenti ndodhi rreth orës 22:30 dhe dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës. Pas veprimeve paraprake hetimore, vetëm mëngjesin e djeshëm policia bëri të ditur emrat e viktimave të aksidentit. Viktimat janë Kastriot Hoxha e Asqeri Avinjaku, ndërsa të plagosur janë Mevlan dhe Artur Avinjaku, si dhe Mitrec Dhimo e Vasillaq Maili. Sipas burimeve nga policia, mjeti kamion tip vinç po kthehej nga Himara dhe të 6 personat që ndodheshin në të punonin në atë zonë. Forcat e policisë dhe të ndihmës së shpejtë që kanë mbërritur në vendngjarje kanë dëshmuar se ka qenë mjaft e vështirë zhvendosja e të plagosurve, si dhe trupave të viktimave, pasi vinçi i kishte zënë poshtë. Hetimet e para bëjnë të ditur se shkak i aksidentit mund të ketë qenë ndonjë defekt në frenat e mjetit, ose lagështia e rrugës. Dëshmitarë nga vendngjarja kanë treguar se kishin parë vinçin që ecte me shpejtësi dhe më pas kishte dalë nga rruga duke u përmbysur dhe zënë poshtë vetes të aksidentuarit. Ndërkohë që njëri nga të aksidentuarit ka rrëfyer në spital se ishin duke ecur normalisht dhe nuk patën ndonjë problem, derisa një problem u shfaq te frenat dhe vinçi doli nga rruga.