Raporti UnëVotoj: Ja si e shkel rregulloren e Kuvendit kryetarja Topalli
Lëvizja Mjaft ka publikuar raportin periodik UnëVotoj, përgatitur nga Skuadra e Monitorimit të Kuvendit. Raporti përfshin periudhën 1-21 tetor 2011. Projekti UnëVotoj synon të monitorojë punën e Kuvendit, zbatimin e rregullores dhe ligjeve, praninë e deputetëve, punën që bëjnë, etj.
Edhe në këtë raport thuhet se në Kuvend vijon të shkelet rregullorja, pikësëpari nga kryetarja e Kuvendit, e cila edhe pse një deputet u kërcënua me vdekje në sallë, deputeti tjetër, aktualisht kryeministër, nuk u penalizua.
Gjeni më poshtë disa gjetje të raportit.
-Mjaft shqetësuese edhe për këtë periudhë raportimi shfaqet respektimi i Rregullores së Kuvendit. Kështu, nga monitorimi janë evidentuar një seri rastesh të cilat konfliktojnë me disa nene mjaft të rëndësishme të Rregullores. Gjatë këtij sesioni parlamentar, rezulton të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të pikës 1 dhe 2 të nenit 34 të Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare, 3 nisma ligjore të cilat së pari, duhet të ishin shpallur të pavlefshme dhe së dyti, ndaj kryetarit të komisionit që ka shkelur këtë përcaktim taksativ të Rregullores duhet të ishte dhënë masë disiplinore .
-Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar rastet e shkeljes së Rregullores sa i takon respektimit të etikës parlamentare, ç ka përcaktohet në nenin 62 të saj. Janë të shumta rastet kur fjalori i përdorur nga përfaqësuesit e qytetarëve shqiptar mund të konsiderohet absolutisht i papërshtatshëm për një institucion publik. Ajo ç ka bie në sy edhe në rastin e shkeljes së këtij përcaktimi të Rregullores është gjykimi i njëanshëm i Kryetares së Kuvendit, në zbatimin e Rregullores se Kuvendit sa i përket dhënies së masave disiplinore për deputetët etik-cënues. Konkretisht, seanca plenare e datës 13 tetor është shoqëruar me debate të ashpra mes Kryeministrit Sali Berisha me deputetin e Partisë Socialiste Sajmir Tahiri, ku kryeministri vendit iu drejtua këtij të fundit me fjalët ta bëj fytyrën me të zezë se këpuca që nga fëmijëria jote deri tani. Për këtë incident që cenon rëndë etikën parlamentare nuk u shënua asnjë tërheqje vëmendje, vërejte apo masë tjetër nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë për Kryeministrin dhe njëkohësisht deputet z. Sali Berisha, pavarësisht se në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë përcaktohet, në nenet 64 dhe 65 detyra e drejtuesit të seancës plenare për të ndërhyrë në raste te tilla si dhe masat që mund të merren në varësi të nivelit të cenimit të rregullave dhe normave të etikës parlamentare.
-Një problematik tjetër e vërejtur në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare lidhet me mungesën e pranisë së grupeve të interesit në diskutimin e projektligjeve të cilat dallojnë për impaktin e ndjeshëm që eventualisht mund të kenë në publik.
Deputetët Antikomformistë
Kjo pjesë e raportit UnëVotoj, paraqet rastet kur deputet të grupeve të ndryshme parlamentare, në mënyrë individuale ose në grupe te vogla, kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar apo koalicionit, para dhe pas-zgjedhore, ku bëjnë pjesë. Sipas Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve u njihet e drejta e shpjegimit të votës kundër, e drejtë kjo që shfrytëzohet pak ose aspak nga parlamentarët shqiptar. Arsyeja pse antikonformizmit partiak i është dedikuar një pjesë e vecantë, në këtë publikm, lidhet me rëndësinë që i jep cdo deputet opinionit të zgjedhësve, qëndrimit individual dhe integritetit personal pavarësishtë qëndrimit en bloc të grupit parlamentar.
Partia Socialiste
Në seancën plenare të datës 20 tetor, deputeti Saimir Tahiri ka votuar kundër Projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit Furnizimi me ujë i Bilishtit – kontratë me çelësa në dorë.
Në seancën plenare të datës 27 tetor, deputeti Blendi Klosi ka votuar kundër Projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve.
Në seancën plenare të datës 27 tetor, deputeti Z. Damian Gjiknuri, Tom Doshi dhe Arben Isaraj kanë votuar kundër Projektligjin Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.