Raporti i “Amnisty International”: “Shqipëria me probleme për të drejtat e njeriut”
Organizata “Amnisty International” vazhdon të konstatojë shqetësime përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Raporti më i fundit i kësaj organizate thekson se në Shqipëri ka ende shumë për t’u bërë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. Raporti rendit një sërë problemesh, që fillojnë që nga mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe deri te kritikat që i bëhen qeverisë përsa i përket paaftësisë së saj për të zgjidhur çështjet e strehimit për fëmijë jetimë në Shqipëri. Në raport thuhet se besimi i publikut te sistemi gjyqësor mbetet shumë i ulët. Prokurori i Përgjithshëm u shkarkua në rrethana të dyshimta. Problemi i trafikimit të grave dhe fëmijëve që detyrohen të punojnë për prostitucion apo forma të tjera shfrytëzimi vazhdon të jetë i madh, edhe pse është me i reduktuar gjatë 2007-s. "Amnesty International" në raportin e saj thekson se është rritur dhuna në familje dhe kjo dhunë nuk denoncohet. “Një e treta e grave vuajnë dhunë familjare, gjë që ka shënuar rritje. Dhuna në familje nuk është e ndalur në ligjin kriminal dhe pak raste shkojnë në gjykatë”. Raporti kritikon gjithashtu gjendjen në burgje, ku gjithsej numri i të burgosurve është 4638, ndërsa kapaciteti i burgjeve është 1172 të burgosur. “Kushtet e të burgosurve janë shumë të këqija si rezultat i mbipopullimit, higjienës së keqe dhe moskujdesit shëndetësor, ndërsa ka të dhëna se një numër të burgosurish keqtrajtohen nga policia, por nuk raportohen”, - vazhdon raporti. "Aminsty International" kritikon qeverinë shqiptarë në lidhje me mungesën e strehimit për fëmijët jetimë: “Shteti ka dështuar në punën për t’u dhënë atyre strehimin e nevojshëm 340 fëmijëve jetimë kur ata rriten dhe përfundojnë shkollën e mesme. Shumë prej tyre jetojnë ne mjedise te përbashkëta, pa asnjë mbrojtje nga shteti”.
29 Maj 2008