LSI: Raporti konfirmon problemet e mëdha të kësaj qeverie
Lëvizja Socialiste për Integrim ka komentuar raportin e publikuar nga “Amnisty International”. Kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se ky raport konfirmon dështimet e mëdha të qeverisë “Berisha” në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. “Mendoj se raporti i fundit i Amnisty International për situatën e të drejtave të njeriut është një problem shumë serioz për këtë Qeveri dhe për Shqipërinë në përgjithësi, pasi vëmë re probleme shumë të rënda me të drejtat e njeriut. Mendoj se raporti është një shuplakë e rëndë për qeverinë aktuale, për pretendimet e saj se ka progres në të gjithë sektorët. Është moment që kjo qeveri duhet të reflektojë, pasi me këto rezultate imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë, sigurisht që merr vlera shumë të rënda, të zeza, por mbi të gjitha cilësia e jetesës së qytetarëve shqiptarë shkon duke u përkeqësuar gjithmonë e më tepër”, - tha Haxhinasto.
29 Maj 2008