E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Jo, aktivitetit të paligjshëm minerar”



Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, inauguroi dje ambientet e Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierave. Ministri Prifti vlerësoi faktin se RISHM-i është një ndër institucionet më të vjetra të shtetit shqiptar, pasi është krijuar që në vitin 1959 dhe vazhdon ende të ekzistojë e funksionojë në ndihmë të sektorit minerar në vend. Ai vuri theksin në misionin e rëndësishëm që ka RISHM-i, atë të inspektimit dhe shpëtimit, që në shumicën e rasteve është kryer me sukses gjatë incidenteve apo avarive nëpër miniera. RISHM-i, tha ministri, është i rëndësishëm dhe për qeverinë e ndaj ky institucion nuk do të preket nga reforma që qeveria do të realizojë për Inspektoratet në vend. “Ne jemi duke bërë në javët e fundit një reformë të gjithë sistemit të inspektimit në Shqipëri ku është diskutuar bashkimi i shumë Inspektorateve në dikastere të ndryshme. Nëse sot kemi rreth 40 Inspektorate në të gjithë vendit, është diskutuar për një reformë që do të bashkojë shumë prej tyre dhe ndoshta do të mbeten rreth 14-15. Kur kemi diskutuar me kryeministrin në lidhje me RISHM-in, nëse ky institucion duhet të bashkohet me ndonjë Inspektorat tjetër brenda METE-s, vullneti i tij është që ky institucion duhet të vazhdojë të ekzistojë siç është, për rëndësinë që ka. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim me fonde, me hapje vendesh të reja pune brenda këtij institucioni, për ta kthyer atë në një institucion elitë për të gjitha institucionet e shpëtimit në vend”,- u shpreh ministri. Ministri Prifti, tha se po punohet për një plan veprimi, që do të zbatohet kryesisht nga RISHM-i, por dhe nga institucione të tjera. “Këto ditë do të firmoset një plan veprimi i përbashkët i METE-s, ministrisë së Brendshme dhe i disa instancave të tjera të shtetit për të forcuar ligjshmërinë në Bulqizë, për të forcuar dhe garantuar sigurinë në punë dhe shëndetin e njerëzve”, - tha Prifti. Sipas tij, po krijohet një grup Task-Force, kryesisht për zonën e Bulqizës, në krye të të cilit do të jetë prefekti i qarkut dhe do të marrin pjesë përfaqësues të RISHM-it, të METE-s, të Zyrës së Tatimeve, si dhe Policisë së Shtetit. Ministri i Ekonomisë, informoi se është dërguar në qeveri ligji i ri minerar, i cili është konsultuar me Këshillin Konsultativ të Biznesit dhe shoqata të ndryshme biznesi. Më pas, ministri dhe drejtuesit e tjerë të METE-s ndoqën nga afër demonstrimin nga ana e punonjësve të RISHM-it të një aksioni shpëtimi. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe drejtori i RISHM-it, Arben Perhati, zv/ministri, Neritan Alibali, si dhe funksionarë të tjerë të METE-s.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›