E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH-it, Berisha ia faturon Drejtësisë kritikat ndaj qeverisë

Berisha: “Po flihet ende mbi dosjet e kleptokracisë”. Kryeministri sulmon Ramën për Unazën e Tiranës

Eljona Ballhysa
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ia ka faturuar Drejtësisë kritikat që raporti i Departamentit të Shtetit ka bërë për qeverinë. Sipas kryeministrit, Drejtësia është ende duke fjetur mbi dosjet e kleptokracisë, ndërkohë që në raportin e DASH-it vërehet se qeveria po pengon punën e Drejtësisë dhe po ushtron presion mbi Gjyqësorin. Gjatë komentit për raportin e DASH-it, Berisha ka sulmuar edhe kryetarin e opozitës, Edi Ramën, i cili, sipas tij, ka blerë mediat që e “lexojnë” ndryshe raportin e qeverisë amerikane. Kryeministri Berisha ka sulmuar Ramën edhe për fushatën që ka nisur në të gjithë vendin si dhe për Unazën e Tiranës, për të cilën nuk kanë nisur ende punimet. Këto deklarata, Berisha i ka bërë gjatë turit të përurimit të investimeve. Dje, ai është ndalur në Fier e Lushnje.

Komenti

I pyetur për raportin e DASH-it, i cili thotë se qeveria ndërhyn në punët e Gjyqësorit, Berisha e rrëzon poshtë këtë konstatim. “Mediat thonë që ka ndërhyrje. Lexojeni raportin siç është. Media e kontrolluar nga Edi Rama thotë që është ndërhyrë. Ju e kuptoni vetë se çfarë terrori ushtron ai mbi mediat. E vërteta është që kjo shënon periudhën e parë në historinë e këtij vendi që po penalizohen zyrtarë”, - është shprehur Berisha. Më tej, ai theksoi se, “puna e prokurorisë lë ende për të dëshiruar, pasi ende nuk janë hapur dosjet e kleptokracisë”, me të cilat Berisha zakonisht cilëson dosjet e ish-ministrave socialistë. “Sigurisht po flihet mbi dosjet e sistemit të kleptokracisë dhe kjo është një gjë shumë e keqe, por po penalizohen zyrtarët e kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë e mirë”, - është shprehur Berisha, duke nënkuptuar se prokuroria po punon në mënyrë selektive, duke hapur dosjet e zyrtarëve të PD-së dhe duke lënë në heshtje dosjet e zyrtarëve të PS-së.

Sulmi

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë dje në përurimin e fillimit të ndërtimit të rrugës hyrëse të qytetit të Fierit. Ndërsa vlerësoi punën e bërë nga qeveria “Berisha”, ai sulmoi kreun e PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të Unazës së madhe të Tiranës, por kryetari i Bashkisë së saj po mban peng projektin si Pushkini plaçkat e vjetra. Çfarë mund t’i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton, por as projektin nuk e jep”, - u shpreh kryeministri, duke iu referuar bllokimit të projektit për Unazën e kryeqytetit nga Bashkia e Tiranës.

Ai tha se qeveria po investon kudo në Shqipëri pa dallime politike. Sipas Berishës, tashmë është kohë fushate dhe drejtuesit vendorë të PS-së nuk mund të dalin krah tij pasi “plas sherri” me kryetarin e tyre të PS-së. “Nuk ka asnjë dallim. Ju e keni parë që unë të gjitha inaugurimet i kam bërë me qeveritarët vendorë në krah, si të Partisë Demokratike ashtu dhe të Partisë Socialiste, por tani është fushatë dhe natyrisht ata nuk kanë si të vijnë me mua në krah, sepse është normale, ata duhet të ruajnë një kod etik. Por jashtë fushate, ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të pranishëm. Unë kam me ta një partneritet të shkëlqyer. Duke iu referuar këtij rasti, ju e shikoni se si po modernizohet hyrja e qytetit të Fierit, pavarësisht se Bashkia e tij qeveriset nga socialistët. Por kryetari i Bashkisë së Fierit sigurisht që nuk mund të vinte sepse më pas do t’i plaste lufta me kryetarin e vet”, - është shprehur Berisha. Ai ka qesëndisur fushatën e nisur nga Rama me Vullnetarët e PS-së, duke e krahasuar me vullnetarët e regjimit komunist.

“Kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t’i lëmë xhufkat e 1 Majit të viteve ’60. Le t`i mbajë ato, sepse, edhe një herë e them, qytetarët ndihen të lënduar me konceptin e Vullnetarëve. Të tentosh të vullnetarizosh shqiptarët, do të thotë të tentosh t`i pronësosh ata, t`i bësh pronë tënden. Në një kohë kur ne duam të jemi qytetarë-anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, zotëria e tij u thotë bëhuni vullnetarë të Enverit, sepse socialistët i kanë shijet e vullnetarizmit”, - është shprehur Berisha, i cili ka shprehur bindjen se PD-ja do të fitojë mandatin e dytë qeverisës.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›