Presidenti Topi bën thirrje për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur se është momenti i duhur që shteti dhe shoqëria shqiptare të dëmshpërblejnë shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Këtë deklaratë, kreu i shtetit e ka bërë gjatë fjalës së mbajtur në një takim përkujtimor në Pallatin e Brigadave me familjarët e viktimave të masakrës së 27 shkurtit 1951, të cilët u pushkatuan nga regjimi komunist pas bombës së hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Topi tha se kjo shtresë intelektualësh, që vuajtën persekucionin komunist, duhet të dëmshpërblehet jo vetëm moralisht nga shteti.
“Gjithçka të vlerësohet në atë linjë që ne kemi thënë, veçanërisht në mënyrë shumë frekuente në muajt e fundit, që të bëhet gjithçka jo thjesht për t’i kujtuar, por për të rikuperuar sado pak edhe në linjën e ligjeve, të dëmshpërblimeve morale dhe ekonomike për një shtresë dhe për pasardhësit e tyre, të cilët mbi dramën e tyre u kanë dhënë një mesazh mjaft të rëndësishëm pasardhësve të shoqërisë shqiptare që dinë të ndërtojnë jetën e tyre në mënyrë shumë të ndershme edhe atëherë kur dhimbja ka qenë shumë e madhe”, - është shprehur kreu i shtetit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm familjarët dhe pasardhësit e njëzet e dy viktimave të arrestuara e më pas të pushkatuara, ku numëroheshin disa prej intelektualëve më të shquar e më në zë të kohës si: Pjerin Guraziu, Niko Lezo, Anton Delhysa, Qemal Kasaruho, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Jonuz Kaceli, etj. Familjarët e viktimave u përshëndetën dhe zhvilluan një takim të ngrohtë e miqësor me kreun e shtetit shqiptar, duke përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial.
28 Shkurt 2009