Ministri i Jashtëm Lulzim Basha përshëndet qëndrimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian

Qëndrimi i fundit i Brukselit tregon se Shqipëria po përparon drejt heqjes e vizave me vendet e BE
Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn, tha pas këtij evenimenti se vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë pranë liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian dhe se sipas tij Komisioni Evropian do të paraqesë propozimet konkrete përpara pushimeve të verës ose thënë ndryshe në fund të muajit korrik
Deklarata e fundit e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian rikonfirmon qartësisht dhe bindshëm faktin se se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë Berisha që është heqja e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve. Është ky komenti që ka bërë dje kreu i diplomacisë shqiptare. Lulzim Basha, ndaj ministerialit të fundit të vendeve të BE-së mbajtur të hënën në Luksemburg.
Ministri Basha theksoi se me qëndrimin e dy ditëve më parë, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian hodhi një hap madhor drejt përmbylljes së procesit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjes së dëshirës të qytetarëve tanë për të lëvizur të lirë dhe pa viza në Evropë.
“Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Komisionin Evropian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet. Për këtë arsye, Këshilli përshëndeti përparimin e arritur deri tani dhe u bëri thirrje vendeve në rajon që të përshpejtojnë dhe zbatojnë reformat për realizimin së shpejti të standardeve të nevojshme”, deklaroi Ministri i Jashtëm për mediat.
Kreu i diplomacisë theksoi në këtë kuadër se deklarata e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian rikonfirmon në mënyrën më të qartë dhe bindshëm, se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë aktuale që është heqja e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve.
“Për shqiptarët anembanë vendit dhe të afërmit tanë në emigracion, që mezi presin rënien e murit të fundit ndarës me Evropën, ky është një lajm i shumëpritur dhe një ëndërr që po bëhet realitet. Njëkohësisht, ky është një vlerësim i reformave të jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe një inkurajim i madh për t’i përshpejtuar dhe zbatuar ato plotësisht”, nënvizoi Basha.
Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn, tha pas këtij evenimenti se vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë pranë liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian dhe se sipas tij Komisioni Evropian do të paraqesë propozimet konkrete përpara pushimeve të verës ose thënë ndryshe në fund të muajit korrik.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që të inkurajojnë KE në këtë plan për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e këtij rajonit në përputhje edhe me përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Brukseli. Në rastin më të mirë ky proces pritet që të marrë udhë brenda këtij viti. Vendet që përfshihen në këtë proces janë Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i zi dhe Serbia.
...