E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi,“Topi i artë” i botës



Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, fitoi trofeun “Topi i artë-FIFA” për vitin 2010, me argjentinasin që e fitoi për herë të dytë çmimin prestigjioz, duke mundur kështu në mënyrë befasuese dy kampionët e botës dhe shokët e tij të ekipit, spanjollët Andres Iniesta dhe Ksavi Hernandez. Ky ishte çmimi i parë i përbashkët, që erdhi nga shkrirja e “Topit të artë” që jepej më parë nga revista “France Football” dhe çmimit i FIFA-s, “Lojtari më i mirë i botës”. Edhe pse Mesi, fitues edhe i vitit 2009, fitoi vetëm kampionatin spanjoll – dështoi në Kampionatin Botëror me Argjentinën (madje pa shënuar edhe një gol të vetëm), ai fitoi votat e gazetarëve, trajnerëve dhe kapiteneve të ekipeve kombëtare nga e gjithë bota. Lionel Mesi grumbulloi 22.65% të votave, duke i paraprirë shokëve të tij të ekipit, Andres Iniesta (17.36%) dhe Ksavi Hernandez (16.48%). Kleriku Desdond Tutu mori medaljen “presidenciale” të FIFA-s nga presidenti i FIFA-s, Jozef Blater, për kontributin e tij në futbollin e të rinjve, por dhe për mbështetjen që dha për organizimin me sukses të Botërorit të Afrikës së Jugut. Çmimin “Fair Play” e mori ekipi i femrave të Haiti U-17, për kontributin e saj gjatë tërmetit të janarit 2010, gjatë të cilit trajneri i saj humbi trajnerin.

60 gola
Gjatë vitit 2010, Lionel Mesi shënoi 60 gola, 34 prej tyre në Ligën spanjolle. Mesi fitoi dhe “Këpucën e artë” të Europës dhe “Pichichi” në Spanjë. Vitin e kaluar ai theu disa rekorde në historinë Barcelonës.

ÇMIMET
Hoze Murinjo, trajneri i vitit

Trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo fitoi çmimin prestigjioz si trajneri më i mirë i vitit 2010, duke mposhtur konkurrencën e Pep Guardiolës së Barcelonës dhe Visente del Boske, teknikut të kombëtares spanjolle.

Silvia Neid, trajnerja e vitit

Silvia Neid u përzgjodh si trajnerja e vitit, duke fituar çmimin përkatës. Trajnerja e Gjermanisë, kampione bote, fitoi me 24.06% të votave, duke lënë pas Maren Majnert (Gjermani U-20, 18.26%) dhe Pia Sundhejxh (SHBA, 11.68%).

Goli më i bukur i Altintopit

Goli i turkut Hamit Altintop, u përzgjodh si më i mirë midis dhjetë golave të propozuar. Altintop fitoi çmimin “Pushkash” të akorduar nga FIFA për vitin 2010, për golin e tij në Kazakistan-Turqi (kualifikueset e Euro 2012).

Marta, “Topi i artë” për femra

Braziliania Marta u zgjodh si futbollistja më e mirë femër për vitin 2010, duke e fituar çmimin prestigjioz për pestin vit. Në garë ishin edhe kosovarja që luan në Gjermani, Fatmire Bajramaj, si dhe gjermania Birgit Prinz.

Skuadra ideale e vitit 2010

FIFA përzgjodhi edhe skuadrën ideale të vitit 2010: Iker Kazijas, Zherard Pike, Karles Pyjol, Maikon, Lusio, Ksavi, Andres Iniesta, Uesli Shnajder, Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo dhe David Vija.

Kristiano Ronaldo lë pa fjalë Murinjon
Sulmuesi i Realit është kandidati kryesor për “Këpucën e artë”

Kristiano Ronaldo zgjati kryesimin e tij në krye të listës të kandidatëve për fitimin e “Këpucës së artë” të kampionateve europiane pas tripletës së tij në fitoren 4-2 të Realit të Madridit kundër Vijarealit, duke lënë trajnerin e tij, Zhoze Murinjo, të pa fjalë. “Kristiano më la mua pa fjalë”, - pranoi portugezi 47-vjeçar. “Ai po e bën këtë ndeshje pas ndeshje, javë pas javce. Unë nuk do si t’i përshkruaj performancën e tij”, - shtoi Murinjo. Kryevepra e fundit e Ronaldos u shfaq ndaj Vijarealit të vendit të tretë, kur Kristiano përmbysi avantazhin e kundërshtarëve, e duke e mbajtur nën presion liderin e kampionatit spanjoll, Barcelona. Sulmuesi portugez u ngjit tashmë në kuotën e 22 golave në 22 ndeshje gjatë këtij sezoni, pesë më shumë se Lionel Mesi. Ylli i Barcelonës çimentoi veten në vendin e dytë në garën për “Këpucën e artë” të Europës, pas golit të shënuar kundër Deportivo La Korunjës. Sulmuesi uruguaian Edison Kavani ishte heroi i fundjavës së futbollit europian, pas tripletës së tij në fitoren 3-0 të Napolit kundër Juventusit, e që e çoi atë në kuotën e 13 golave në Serinë A.

Pesë gola më shumë se Mesi

Sulmuesi portugez u ngjit tashmë në kuotën e 22 golave në 18 ndeshje gjatë këtij sezoni, pesë më shumë se Lionel Mesi.

Rregulli
Vetëm pesë kampionatet kryesore në Europë: Spanjë, Itali, Gjermani, Angli dhe Francë e kanë të shumëzuar me dy koeficientin e shënimit të golit. Kampionatet e tjera kanë koeficient 1.5 apo më të ulët.

“KËPUCA E ART˔
RENDITJA AKTUALE
(9 janar 2011)

1 Kristiano Ronaldo (Real Madrid, Spanjë) 22 gola x 2 = 44
2 Lionel Mesi (Barcelona, Spanjë) 18 x 2 = 36
3 Keni Miller (Rejnxhërs, Skoci) 21 x 1.5 = 31.5

Skënderbeu barazon 1-1 me Sivasporin
Kjo ishte miqësorja e tretë e korçarëve gjatë fazës përgatitore në Turqi

Blerja e re dimërore, Gjergji Muzaka, e ndihmoi Skënderbeun të shmangte humbjen në barazimin 1-1 me Sivasporin e Premier Ligës turke, në ndeshjen e tretë miqësore të korçarëve gjatë fazës përgatitore në tokën turke. Sivaspori, skuadër që renditet në vendin e 16-të nga 18 skuadra që ka Superliga turke, shënoi i pari në pjesën e parë (24’). “Ujqërit” e trajnerit Shkëlqim Muça barazuan në minutën e 56-të me ant të ish-lojtarit të Partizanit, Tiranës e Dinamos, me golin e tij të parë me fanellën e Skënderbeut, skuadra e pestë në karrierën e Muzakës, përfshirë këtu dhe Iraklsin e Selanikut.
Në dy miqësoret e para, Skënderbeu fitoi 5-0 me turqit e Afyonsporin (kategoria e tretë) dhe 2-0 me ekipin e dytë të francezëve të Paris Sën Zhermenit. Skuadrat e presidentit Agim Zeqo, vendi i dytë në Superligën shqiptare, ka shënuar 8 gola në tri ndeshjet miqësore në Antalia të Turqisë, me Sokol Cikalleshin dhe Ivan Joliçin, që kanë realizuar nga tre gola. Bratiç dhe Muzaka kanë realizuar nga një gol.

Kavani, serenatë golash në Napoli
Sulmuesi uruguaian ja bëri dhuratë djalit të tij topin e ndeshjes

Edison Kavani po përjeton disa nga momentet më të lumtura në karrierën e tij. Sulmuesi uruguaian shënoi tre golat në fitoren 3-0 kundër Juventusit të dielën në mbrëmje, ndërkohë që ai mori topin e ndeshjes për t’ia bërë dhuratë djalit të porsalindur. “Ky është një moment fantastik për mua”, - tha ndërkombëtari uruguaian, i cili ka shënuar 13 gola në 19 ndeshjet të kampionatit italian dhe pesë të tjerë në ndeshjet e Ligës së Europës. Kavani shënoi golin e parë pas asistit të Kristian Maxhos, e më pas realizoi falë një pasi të Andrea Dosenës. Goli i tij i tretë erdhi në bashkëpunim me Marek Hamshikun. Ishte tripleta e dytë e tij gjatë këtij sezoni, pas tre golave të shënuar kundër Utrehtit në Ligën e Europës. Në fund të ndeshjes tifozët e Napolit i kushtuan një këngë napolitane “O Surdato ‘Nnammurato (Ushtari i dashuruar) lojtarit, i cili ka lindur në ditën e Shën Valentinit në vitin 1987. “Ishte një kënaqësi fantastike të shikosh se të gjithë njerëzit duke të mbështetur në stadium, duke kënduar me zë të lartë”, - tha Kavan, i cili i priti me entuziazëm këngën e tifozëve. “Ne luajtëm një ndeshje të madhe dhe e merituam fitoren”. Me Lacion që humbi 2-1 kundër Leçes, tri pikët e grumbulluara nga Napoli e çuan atë në vendin e dytë në kampionat, katër pikë më pak se kryesuesi Milan. Napolitanët janë ekipi i vetëm italian që vazhdon të jetë në garë në Ligën e Europës dhe Kavani ka synime të mëdha për sezonin tjetër. “Me vendin që kemi aktualisht, ne jemi për momentin në Ligën e Kampioneve, pro me qëllim që të ruajmë pozicionin tonë ne duhet të përmirësohemi pasi ndonjëherë ne bëjmë shumë gabime, ashtu si tri ditë më parë (kur Napoli humbi 3-1 me Interin në Milano)”. Kavani sigurisht nuk bëri gabime kundër Juventusit, me trajnerin Valter Mazari shumë të kënaqur nga performanca e lojtarëve. Mazari tha: “Kavani bëri shumë mirë, por unë dua të nënvizoj se ajo që çdo lojtar bën varet gjithmonë nga pozicioni i tij dhe mënyrën sesi ekipi lëviz rreth tij. Gjithsesi, po, Kavani ishte shumë argëtues në këtë mbrëmje (të dielën)”.

Mediat: “Gjigant si Vezuvi”
Mediat uruguaiane u shprehën të ekzaltuara për performancën e Kavanit. “Është një gjigant si Vezuvi”, - shkruante e përditshmja sportive “Ovacion”. “El Espectador” veçonte: “Kavani, gjithmonë e më shumë idhulli i Napolit”

Morati: “Ja pse po ngjitet Interi im”
Presidenti zikaltër: “Leo i zoti, po i ndryshon kursin ekipit”

Fitorja e Interit në Katania i dha mundësinë presidentit Masimo Morati të kalojë një të hënë të gëzueshme. Duke komentuar suksesin e dytë të Leonardos me skuadrën zikaltër, Morati tha: “Bëmë lojën tonë, duhet të fitonim dhe e fituam: dhe e bëmë shumë mirë”. Sipas bosit të kampiones së Italisë dhe Europës, ajo në Katania ishte një ndeshje shumë e vështirë. “Më duket se trajneri u tregua i zoti, - theksoi Morati, pasi i ndryshoi letrat në tavolinë gjatë ndeshjes dhe e diti ta bëjë shumë mirë”. Në lidhje me një ngjitje në raport me Milanin kryesues, presidenti i Interit u tregua diplomatik: “Të shohim nëse do t’ia dalim, por dalëngadalë do të ngjitemi”. Sipas Moratit, ngjitja e Interit ka të bëjë si me performancën e lojtarëve dhe me rikthimin e një pjese të tyre nga dëmtimet e shumta gjatë këtij fillimsezoni, por dhe nga fitimi i Botërorit të Klubeve dhe ardhja e një trajneri të ri. “Rikuperimi nga dëmtimet shërben, është i nevojshëm për një skuadër të fortë, botërori nga dha shumë besim, megjithatë – shtoi numri një zikaltër – ajo që mund të na çojë përpara është një trajner i mirë dhe këtë e kemi”. Morati foli edhe për objektivat e merkato, në lidhje me zërat për blerjen kilianit të Udinezes, Aleksis Sançez dhe Edinson Kavanit, golashënuesit më të mirë të kampionatit italian. “Jo, nuk besoj. Gjithmonë ka lajme për lojtarë të zotë, - konkludoi presidenti i Interit, - por jo të gjithë mund të merren”.

Milito: “Do të vijnë dhe golat e mi”
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, shprehu kënaqësinë e tij për fitoren në Katania. “Ishte një fitore e madhe në një fushë të vështirë. E ndjej fort besimin e Leos. Gjendja ime fizike? Të gjitha duan të jenë në gjendjen më të mirë fizike, tani jam duke punuar për të qenë në nivelin optimal. Jam duke rigjetur formën, e më pas do të vijnë dhe golat e mi”

Bekham kalon te Totenhemi

Dejvid Bekhami iu nënshtrua vizitave mjekësore te Totenhemi, atje ku dhe 35-vjeçari i Los Anxheles Galaksi do të luaj si i huazuar për dy muaj. Ish-kapiteni i Anglisë do të kryejë stërvitjen e parë sot në mëngjes, ndërkohë që sfida e tij e parë do të jetë ajo kundër ish-skuadrës së tij, Mançester Junaitid të dielën. Dy sezonet e fundit, Bekhami luajti si i huazuar te Milani në Itali. Ylli anglez nuk luan për një klub të Premier Ligës qysh nga sezoni 2002-2003, kur ai u largua për në drejtim të Realit të Madridit. Lajmet e mira për Bekham nuk kanë fund kurrë. Ai pret të bëhet sërish baba, pasi Posh pret “baby Nr.4”. Çifti e bëri të ditur lajmin e gëzueshëm në rrjetin Faceboook. Bekham tha: “Kam disa lajme të mira për t’jua treguar të gjithëve. Viktoria dhe unë do të presim fëmijën e katërt gjatë kësaj vere”.

11 Janar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›