E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i "FRIDE": Zgjedhjet nuk plotësuan standardet

Organizata kërkimore spanjolle, "FRIDE", paraqet probleme në vendin tonë lidhur me korrupsionin, varësinë e gjyqësorit nga politika, si dhe mungesa e kuadrit ligjor për median


TIRANË - Pas dy dekadash, që pas rënies së sistemit komunist, demokracia në Shqipëri vazhdon të mbetet e brishtë.Megjithëse vendi ka bërë hapa të konsiderueshëm drejt Europës sërish mbeten probleme në funksionimin e shtetit ligjor, pavarësinë e gjykatave, zgjedhjeve, pavarësisë së medias dhe kontrollit mbi fenomenin e korrupsionit.


Kjo është e gjithë panorama që i bën funksionimit të demokracisë në Shqipëri, organizata kërkimore spanjolle, "FRIDE", përmes një raporti të detajuar, botuar në sitin e saj zyrtar.


"FRIDE" është një organizatë kërkimore në Madrid, e themeluar gjatë presidencës spanjolle në Bashkimin Europian, që ka për qëllim të sigurojë të reja mbi rolin e Europës në arenën ndërkombëtare.


Duke iu referuar raportit të kësaj organizate theksohet se zgjedhjet paraqitën progres, por patën probleme, duke u politizuar votimi, si dhe pati parregullsi në procesin e numërimit dhe në nxjerrjen e rezultateve.


Sipas raportit, politizimi i votës dhe situata e krijuar më pas nga bojkoti gjashtë mujor i Parlamentit nga ana e opozitës, tregon se Shqipëria duhet të forcojë demokracinë dhe duhet të bëjë përparim urgjent në kryerjen e reformave. "Zgjedhjet e vitit 2009 paraqitën një hap para dhe OSBE-ja theksoi se progresi është arritur.


Megjithatë, ato nuk arritën standardet më të larta ndërkombëtare, duke paraqitur parregullsi në menaxhimin e zgjedhjeve; duke përfshirë këtu incidente të veçuara në shkelje me ligjin, si dhe politizimin e votës në procesin e numërimit dhe nxjerrjen e rezultateve.


Politizimi i votave pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, bënë që opozita të kundërshtojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të bojkotojë Parlamentin për gjashtë muaj. Kjo tregon qartë se demokracia në Shqipëri duhet të forcohet dhe se vendi duhet të bëjë përparim urgjent me procesin e reformave", - thuhet në raport.


Dokumenti vijon më tej se bojkoti i opozitës ka dobësuar institucionet demokratike në vend, por ka përkeqësuar edhe perceptimin mbi zhvillimin e zgjedhjeve në vendin tonë. Përveç zhvillimit të procesit zgjedhor, raporti evidenton probleme edhe në respektimin dhe funksionimin e shtetit ligjor.


Sipas raportit të "FRIDE-s", vihet në dukje se në këtë drejtim Shqipëria renditet pas vendeve të rajonit, ndërsa ka një përshtatje të varfër të legjislacionit me atë europian, nisur kjo edhe nga përshtatja e tij, sipas preferencave partiake. "Inefiçenca në zbatimin e ligjit ka ulur gjithashtu rregullat e shtetit ligjor në Shqipëri.


Legjislacioni shqiptar ka një përshtatje të varfër me ato europianë ose adoptimi partiak i modeleve ndërkombëtare kanë krijuar probleme në zbatimin e kësaj faze, duke afektuar harmoninë e gjithë sistemit", - citohet më tej në dokument. Një problem tjetër serioz për sistemin e drejtësisë mbetet pavarësia e gjykatave dhe ndarja e pushteteve.


Raporti thekson se pavarësia e gjyqësorit është e vogël, duke i dhënë hapësirë veprimi ndërhyrjeve të qeverisë, politizimit të hetimeve dhe përhapja e korrupsionit brenda sistemit gjyqësor.


"Situata e pushtetit gjyqësor mbetet problematike dhe pavarësia e tij është e vogël. Kjo situatë i ka dhënë hapësirë veprimi ndërhyrjeve të qeverisë. Ka dy problematika specifike me pavarësinë e gjyqësorit, e para ka të bëjë me mungesën e standardeve të qarta për pavarësi, e cila lejon për ndërhyrjen e qeverisë.


E dyta, është politizimi i sigurisë së hetimeve. E treta është edhe përhapja e korrupsionit brenda sistemit gjyqësor", - specifikohet më tej në raport. Raporti i referohet gjithashtu edhe korrupsionit dhe administrimit të tij nga qeveria shqiptare. Sipas raportit, megjithëse ka pasur një rritje të kontrollit ndaj korrupsionit, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.


Dokumenti thekson se mos administrimi i duhur i këtij fenomeni është edhe si pasojë e dështimit në zbatimin e ligjit. Raporti sjell në vëmendje edhe pavarësinë e medias, duke specifikuar se media vuan nga një kuadër i dobët ligjor, si dhe nga presionet politike dhe ekonomike ndaj saj. Raporti i "FRIDE" shton se kjo klimë në të cilën shumë media janë të varura nga burimet e financimit, i detyron ato të promovojnë axhendat e caktuara ekonomike apo politike.


Nxjerrja e këtyre rezultateve nga organizata spanjolle "FRIDE" ka ardhur nga studimi të dhënave të një sërë institucionesh ndërkombëtare dhe shqiptare, si dhe duke kryer intervista të ndryshme, që nga shoqëria civile, gazetarë, anëtarë të sistemit të drejtësisë, analistë politikë dhe politikanë.


Tabela :
Pjesët kryesore të Raportit të organizatës spanjolle "FRIDE"

Shteti Ligjor


Shumica e kritikave janë të përqendruara jo vetëm në zbatimin e ligjit, por edhe në përmbajtjen e një legjislacioni të sigurt. Inefiçenca në zbatimin e ligjit ka ulur gjithashtu rregullat e shtetit ligjor në Shqipëri. Legjislacioni shqiptar ka një përshtatje të varfër me ato europian ose adoptimi partiak Ii modeleve ndërkombëtare kanë krijuar probleme në zbatimin e kësaj faze, duke afektuar harmoninë e gjithë sistemit


Standardet e zgjedhjeve dhe sistemi dypartiak


Zgjedhjet e vitit 2009 paraqitën një hap para dhe OSBE-ja theksoi se progresi është arritur. Megjithatë, ato nuk arritën standardet më të larta ndërkombëtare, duke paraqitur parregullsi në menaxhimin e zgjedhjeve; duke përfshirë këtu incidente të veçuara të kundraligjshme, të lidhura me politizimin e votës në procesin e numërimit dhe nxjerrjen e rezultateve...


Gjykatat dhe ndarja e pushteteve


Situata e pushtetit gjyqësor mbetet problematike dhe pavarësia e tij është e vogël. Kjo situatë i ka dhënë hapësirë veprimi ndërhyrjeve të qeverisë. Ka dy problematika specifike me pavarësinë e gjyqësorit, e para ka të bëjë me mungesën e standardeve të qarta për pavarësi, e cila lejon për ndërhyrjen e qeverisë. E dyta, është politizimi i sigurisë së hetimeve. E treta është edhe përhapja e korrupsionit brenda sistemit gjyqësor


Pavarësia e Medias


Pavarësia e Medias është tjetër zonë e vështirë. E para, është kuadri i dobët ligjor dhe institucional; duke përfshirë krijimin e institucioneve të reja rregullative që janë të politizuara rëndë, kufizimi i kapacitetit të tyre për të nxitur një klimë të favorshme për pavarësinë e Medias...


Korrupsioni


"Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri përfaqësojnë kërcënimin më të madh për funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit", - referuar Këshillit të Europës.


Treguesit e qeverisjes së Bankës Botërore pasqyrojnë rezultatet në rritje për Shqipërinë në drejtim të aftësisë së saj për të kontrolluar korrupsionin që nga viti 2003, por Shqipëria mbetet vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.


Edhe pse si Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mungesën e vendosmërinë për të zbatuar plotësisht ligjet që janë miratuar kohët e fundit, një problem mbetet i lidhur ngushtë me dështimin e sundimit të ligjit. Kjo kërkon një vëmendje shtesë për koordinimin midis gjyqësorit dhe qeverisë.


Disa raste famëkeqe të korrupsionit kanë qenë të pezulluara ose vonuara apo me bazë të dyshimtë. Dështimi për të ecur përpara me këto raste ka dëmtuar ndjeshëm, jo vetëm në perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, por ka promovuar edhe një kulturë censure.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›