E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 100 kg hashash, pesë në pranga

Droga e paketuar në dhjetë thasë u bllokua nga njësia operacionale e Tiranës në fshatin Thumanë të Krujës

Për mallin e bllokuar grupi që dyshohet se drejtohej nga Gëzim Pirra, priste të përfitonte 50 milionë lekë të vjetra


TIRANË- Pas një operacioni antidrogë i strukturave të Policisë së Tiranës, gjatë ditës së djeshme u sekuestruan rreth 100 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa në fshatin Thumanë të Krujës dhe u arrestuan pesë persona.


Mes të arrestuarve janë edhe persona me precedentë penale të cilët dyshohet të jetë poseduesit e drogës së bllokuar në fshatin Mafsheq të Komunës së Thumanës. Operacioni i koduar "Vora", u zhvillua dje në mesditë, ndërsa u realizua nga Njësia e Operacioneve Speciale dhe Zyra Hetimit të Antidrogës e Policisë së kryeqytetit.


Policia bllokoi sasinë e kanabisit e cila ishte paketuar në dhjetë thasë, për të kaluar në tregun e kryeqytetit dhe ndoshta me destinacion tregun ndërkombëtar. Sipas zëdhënëses së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, në operacionin "Vora", u arrestuan Kujtim Lloti, 40 vjeç, nga Kruja, Kujtim Kuqi, 37 vjeç, Shkëlqim Kuqi, 34 vjeç, të dy banues në fshatin Mafsheq të Krujës, Leonard Zhana, 31 vjeç dhe Gëzim Pirra, 28 vjeç, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, banues në Manzë të Durrësit.


Madje ky i fundit, sipas burimeve, dyshohet se ishte edhe personi që në bashkëpunim me Leonard Zhanën, nga Manëza e Durrësit, "drejtonin" grupin, pasi ishin edhe njerëzit që kishin gjetur tregun për mallin. Të pestë ata u arrestuan në flagrancë nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Mbikëqyrjes në bashkëpunim më Antidrogën e Policisë së Tiranës.


Mësohet se sasia e kanabisit e sekuestruar dje pasdite, dyshohet se është prodhuar në një nga fshatrat e Krujës dhe kapte vlerën 50 milionë lekëve të vjetra. Për një kilogramë shitësit iu kishin kërkuar blerësve, një sasi prej rreth 380 euro, dhe në total 38 mijë euro, por se paratë ishin kërkuar në lekë dhe jo në euro.


Operacioni


Pas një hetimi gati dy mujor, pas informacioneve se të arrestuarit merreshin me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike, policia i ka mbajtur nën vëzhgim, duke infiltruar një person për llogari të Policisë në grup.


Pasi ishte rënë dakord për pazarin, personat kanë lënë takimin mesditën e djeshme me qëllim shkëmbimin e parave me mallin. Sapo policia ka mbërritur për tek vendi i takimit të personave, oficerët dhe agjentët e policisë ia kanë behur me shpejtësi, duke bllokuar mallin dhe personat e dyshuar. Malli, sipas burimeve të policies, mësohet se ishte fshehur në një nga banesat e kushërinjve Kuqi në rrethin e Krujës.


Gjatë këtyre momenteve, rreth orës 15.00, u arrestuan në flagrancë personat dhe u sekuestruan rreth 100 kilogramë e dyshuar si hashash, në momentet që po ia dorëzonin porositësit, që në fakt ishte njëri prej agjentëve të Policisë së Tiranës. E gjithë lënda e sekuestruar ishte e ambalazhuar në dhjetë thasë, secili nga të cilët peshonte 10 kilogramë. Ajo u bllokua në karrocerinë e një automjeti fuoristradë e markës "Nissan" më targa LA 9344 A.


Veç këtij mjeti, policia bllokoi edhe një mjet tjetër të të njëjtit lloj me një targë tjetër. Hetimet ndaj këtij grupi që dyshohet se merreshin me prodhimin dhe shitjes e lëndëve narkotike pritet të vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës, për të zbardhur plotësisht skemën e veprimtarisë së tyre për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.


Të arrestuarit e operacionit "Vora"


Kujtim Lloti, 40 vjeç, nga Kruja
Kujtim Kuqi, 37 vjeç, nga Kruja
Shkëlqim Kuqi, 34 vjeç, nga Kruja
Leonard Zhana, 31 vjeç, nga Durrësi
Gëzim Pirra, 28 vjeç, nga Durrësi


Sekuestruar:

100 kg lëndë e dyshuar si
Dy mjete "Nissan" më targa LA 9344 A dhe LA 9305 A
15 velularë të markave të ndryshme

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›