Raporti i KE, PS: Berisha, asnjë masë për mbrojtjen e fëmijëve
TIRANË- Duke kujtuar deklaratën e kryeministrit se raporti i fundit i KE-së është më i miri publikuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste ka sjellë në vëmendje se nuk është marrë asnjë masë për mbrojtjen e fëmijëve.
Gjatë një deklarate për mediat deputetja Vasilika Hysi është shprehur se gjithë sa është thënë nga Berisha për fëmijët prioritet të prioriteteve, janë vetëm fjalë e asgjë tjetër.
"Nuk e dimë se cilës pjesë të raportit dhe cilës përvoje jetësore i referohet Kryeministri i vendit kur thekson ky është raporti më i mirë për Shqipërinë; se fëmijët janë përparësia e përparësive dhe se standardet e trajtimit të tyre janë standarde humane të respektueshme, në një kohë kur të gjithë jemi dëshmitarë dhe konfirmojnë atë çfarë theksohet edhe në progres raportin se:
Shqipëria vazhdon të jetë një vend origjine për fëmijët që trafikohen për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar;
Mungojnë sistemet e referimit të fëmijëve nën moshën 14 vjeç që janë në risk dhe mund të kryejnë vepra penale;.
Ndonëse është miratuar Strategjia për kujdesin ndaj fëmijëve, zbatimi i standardeve dhe burimet e nevojshme për zbatimin e saj mungojnë".
Sipas saj, qeveria duhet të marrë të gjitha masat ligjore, administrative, sociale për të identifikuar dhe trajtuar të gjithë familjet në nevojë dhe që përdorin fëmijë për lypësi ose fëmijët e të cilave janë objekt keqtrajtimi, shfrytëzimi, trafikimi dhe të punës së detyruar.
Më tej Hysi ka shtuar se duhen marrë gjithashtu masat ligjore, administrative, sociale për të ngritur sistemet e referimit për fëmijët nën moshën 14 vjeç, të cilët janë në risk dhe që mund detyrohen të përfshihen në rrugën e krimit ose të jenë viktima të tij.
Tjetër sugjerim për qeverinë vjen edhe për parashikimin e buxheteve të mjaftueshme për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale të mbrojtjes sociale të miratuara në vitin 2008 me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre në nevojë.