Raporti i KLSH-së për shpenzimet e spotet, 13.6 milion lekë shkelje
Plot 13. 6 milion lekë shkelje ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditin e fundit ku është vërejtur parregullsi në Ministrinë e Punës, CCështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe Ministrinë e Turizmit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, për mënyrën e përdorimit të fondeve për spotet publicitare dhe aktiviteteve të tjera kulturore. Sipas KLSH-së, dëmi i vërejtur në Ministrinë e Punës është rreth 13.6 milionë lekë. Kjo shumë sipas KLSH është keqpërdorur për realizimin dhe transmetimin e spotit publicitar për festen e 1 majit dhe është përfituar vetëm nga një kompani private. Sipas KLSH, shkeljet ligjore në përdorimin e fondit lidhen si me komisionin jo profesional që vlerësonte ofertën, ashtu edhe me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm ligjor. Ndërkohë, në Ministrinë e Turizmit, dëmi, sipas KLSH, lidhet me përdorimin e fondeve për prodhimin dhe transmetimin e spotit që promovojnë turizmin e shqiptar. Sipas KLSH-së, pavarësisht se pagesa është kryer, kanë mbetur spote pa u transmetuar. Për këtë shkak, vlera e dëmit të shkaktuar nga Ministria e Turizmit është rreth 4.4 milionë lekë. Nisur nga këto dy raste KLSH sugjeron përmirësimin e ligjit për prodhimin, blerjen e reklamave apo programeve që institucionet kryejnë në media.
Shkeljet e verifikuara nga KLSH
Shkelja e parë është konstatuar në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Grupi i Auditimit të KLSH auditoi katër procedura aktivitetesh, përkatësisht: Për realizimin, prodhimin, transmetimin dhe elementë të tjerë dekorativë për festën e 1 Majit 2010; Për minoritetet në Shqipëri; Ne sfidojmë (aktivitet për fëmijë) dhe Mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët.
Nga auditimi i dokumentacionit të paraqitur nga strukturat dhe punonjësit e ngarkuar me kryerjen e aktiviteteve të sipërcituar dhe vënë në dispozicion të grupit të auditimit, rezultoi se, për të katër procedurat e aktiviteteve mungonin dokumentet justifikues dhe vërtetues për monitorimin, dokumentimin e shërbimit të kryer dhe përmbushjes së qëllimit të financimit të tyre, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi. Dokumentacioni i vënë në dispozicion të Grupit të Auditimit kishte mangësi të theksuara dhe parregullsi, si mungesë e dokumenteve justifikues dhe vërtetues për monitorimin dhe dokumentimin e shërbimit të kryer (mungonte dokumentacioni justifikues i pagesës së kryer. Të gjitha këto, kanë shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e ministrisë në vlerën 9,237,863 lekë, vlerë kjo e përfituar padrejtësisht nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.