E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Të shpejtohet vendimi për vizat



ADI SHKEMBI

Parlamenti Evropian i kërkon Komisionit Evropian të përshpejtojë procedurën për përfundimin e raportit për liberalizimin e vizave mes BE-së dhe Shqipërisë e Bosnjës. Kryetari i Komisionit të Lirive Civile, Drejtësisë dhe çështjeve të Brendshme në Parlamentin Evropian, Huan Fernando Lopez Aguilar i ka dërguar dje një letër komisioneres për çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian Cecilia Mallstrom ku i kërkon të respektohen afatet për të mundësuar miratimin e vendimit për heqjen e vizave brenda verës së këtij viti. Duke iu rikthyer deklaratës së vitit të kaluar sipas të cilës Parlamenti Evropian do të votojë pro heqjes së vizave sapo Shqipëria dhe Bosnja të plotësojë kushtet e vendosura në Udhërrëfyes, Aguilar thotë në letrën e tij se "gjatë diskutimeve në Komitetin LIBE më 23 shkurt 2010, shërbimet tuaja paraqitën axhendën e punës në lidhje me arritjen e këtij objektivi. Mesi i prillit 2010 është përmendur si një periudhë për publikimin e një raporti vlerësimi, por data për lëshimin aktual të një propozimi të ri legjislativ nuk është siguruar". Në të njëjtën kohë kreu i Komisionit të Lirive Civile në Parlamentin Evropian thekson më tej se Komiteti pret që dërgimi i propozimit nga Komisioni Evropian të dërgohet që në muajin prill. "Komiteti LIBE do ta mirëpriste mjaft mundësinë që i gjithë procesi, që nga përfundimi i misionit verifikues (fundi i prillit), dhe dërgimi i propozimit legjislativ në Parlament, të kryhet në një mënyrë që i mundëson Parlamentit të nisë punën mbi propozimin e ri që në muajin prill", shprehet më tej zyrtari i lartë i Parlamentit Evropian. Dërgimi i raportit nga Komisioni në Parlament brenda kësaj periudhe do të mundësonte sipas Aguilar që eurodeputetët ta votonin atë deri në verë, kohë kur edhe punimet ndërpriten për të vazhduar në vjeshtë. "Përcaktimi kohor do t'i mundësonte Parlamentit dhe Këshillit të punonin mbi propozimin e Komisionit me synimin që të miratohej një qëndrim i përbashkët mbi leximin e parë përpara verës. çdo vonesë, sidomos ndërmjet publikimit të raportit të vlerësimit dhe çështjes së propozimit legjislativ, pas prillit zvogëlon mundësinë e Parlamentit për të plotësuar procedurat legjislative përpara pushimeve të verës. Unë besoj me forcë se përfshirja juaj personale, do të ndikojë dhe do t'i lejojë Parlamentit dhe Këshillit të përmbushim premtimin tone në deklaratën e nëntorit ku është deklaruar se propozimi do të trajtohej "si një çështje urgjente"", vijon më tej letra, e cila i është dërguar edhe Komisionerit për Zgjerimin në KE, Stefan Fule, kreut të Komsionit të Jashtëm në PE, Gabriele Albertini dhe Eduard Kukan, kreut të delegacionit për marrëdhëniet me vendet e rajonit.

Ministrat e Brendshëm të rajonit

Ballkani i kërkoi pak ditë më parë Bashkimit Evropian të njohë progresin e bërë nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina e të liberalizojë pa vonesa regjimin e vizave me këto dy vende. Në ditën e dytë të konferencës së shtatë ministrore mbi "Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë së Kufijve në Evropën Juglindore", Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë miratuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën thuhet "nxisim Bashkimin Evropian të njohë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Bosnjë -Hercegovina në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave, dhe i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të përshpejtojë vendimmarrjen për të liberalizuar regjimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën
sa me shpejt që të jetë e mundur".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›