Raporti i Marty me tendenca negative
Raporti i Dick Martyt i shndërruar në Rezolutë të Këshillit të Evropës vlerësohet se mund të ketë efekte dhe implikime edhe në dialogun e ardhshëm Prishtinë – Beograd.
Zyrtarë të qeverisë në largim thonë se raporti i Martyt është i njëanshëm dhe me tendenca të efekteve negative politike për Kosovën. Por, megjithatë, vlerësojnë se bisedimet me Serbinë pritet të jenë të nivelit teknik.
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, ka deklaruar se për bisedimet e Kosovës me Serbinë ende nuk ka ndonjë datë konkrete. Ndërsa vetë dialogu, nënvizon ai, mund të jetë i natyrës teknike. Pala kosovare, thotë Krasniqi, në kuadër të axhendës së saj evropiane ka thënë se do të zhvillojë dialog për çështje teknike që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.