Trazirat, aksionet e Bankers Petrolum bien me 5 %
Bursat ndërkombëtare reagojnë për zhvillimet në Shqipëri. “Aksionet e Bankers Petrolum ranë dje në bursa me 5 për qind, pas protestave të dhunshme kundër qeverisë”, raportoi Alex Klein, një analist në “Dundee Capital Markets”. Klein shpreson që situata në Shqipëri të ndikojë në një kohë të shkurtër, por nga ana tjetër investitorët kanë zgjedhur të jenë të kujdesshëm me aksionet e kompanisë. “Ne nuk kemi informacion në këtë kohë se, sa kanë ndikuar protestat në operacionet e Bankers”, sqaron Klein. Por analisti i bursës parashikon se tregu i aksioneve të BP do të varet nga zhvillimet politike në Shqipëri. Në fakt këto janë vetëm pak nga pasojat që pritet t’i vijnë ekonomisë së Shqipërisë nga ngjarjet e fundit. Investitorët e huaj, që kanë investuar apo që kanë në plan të investojnë në vendin tonë, tashmë janë stopuar dhe lajmet e para negative po vijnë nga bursat. Kompania "Bankers Petroleum Albania Ltd" është në pronësi të "Bankers Petroleum Ltd" në Kanada, operon në zhvillimin e industrisë së naftës në zonën Patos, Marinëz dhe Kuçovë. Ajo ka investuar disa qindra milionë euro për nxjerrjen e naftës dhe ka plane për shtrirje edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Me blerjen e 50 % të aksioneve, të mbetura në koncesionin e fushës naftëmbajtëse të Kuçovës, nga kompania "Sherwood international Petroleum Ltd", "Bankers Petroleum" është kompania numër një për nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Ndërkohë që aksionet e "Bankers Petroleum Ltd", tregtohen në Bursën e Torontos dhe AIM Market në Londër, Angli nën simbolin e aksionit BNK. Bankers ka rritur aftësinë të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme, në rritjen e sektorit të energjetikës në Shqipëri. Bankers Albania është një punëdhënës kryesor në zonën e Fierit dhe ka qindra të punësuar direkt dhe indirekt përmes nënkontraktorëve. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, këto shifra do të rriten në mënyrë të ndjeshme në vitet e ardhshme, kur "Bankers Albania" të shtrijë zhvillimin e saj më gjerë në Shqipëri. Përmes aktivitetit të saj, ajo mbështet ekonominë shqiptare, edhe nëpërmjet kontratave për mallra dhe shërbime, me mbi 100 kompani lokale, ku mbi 40% e shpenzimeve të kapitalit dhe 70% të kostove operative i paguhen kompanive lokale. Si e tillë, "Bankers Albania" synon të jetë kompania me standardet më të larta të sigurisë, shëndetit dhe ambientit në vend.