Humbja e vitit
Sporti mbarëshqiptar më 15 maj të vitit 2010 përjetoi një tragjedi kur u dha lajmi për vdekjen e papritur të futbollistit kosovar, Besian Idrizaj, i cili në atë kohë ishte futbollist i klubit anglez, Swansea City.
22-vjeçari qe ndarë nga jeta në mëngjesin e 15 majit, në apartamentin e prindërve të tij në Linz të Austrisë, pas një sulmi që kishte pësuar në zemër.
Familja Idrizaj ishte e tronditur për humbjen e më të dashurit të saj. Familjarët e të ndjerit kishin vendosur që trupin e pajetë të Besianit ta varrosin në Kotrodiq të Pejës, drejt të cilit fshat kishin udhëtuar mijëra qytetarë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ndjerit.
Në ceremoninë e varrimit të tij qe thënë se Besiani do të kujtohet për aq kohë, gjatë të cilës nëpër tokë do të rrokulliset topi i futbollit.
Vdekja e tij u konsiderua si një humbje e madhe për futbollin kosovar, e veçmas për atë të Shqipërisë, pasi i ndjeri ishte duke u përgatitur për t’u veshur kuqezi, gjë që e mohoi vdekja e hershme.
Por, përveç kombit shqiptar, me lajmin për vdekjen e tij ishin tronditur edhe austriakët, anglezët, etj. Për vdekjen e tij raportonin mediat botërore, derisa tifozët e klubeve në të cilat kishte luajtur Besiani, ndezin qirinj në shenjë nderimi për të, dhe shumë ndeshje futbolli kishin nisur duke e mbajtur nga një minutë heshtje për nder të Besianit.
Besiani kishte lindur më 12 tetor 1987 në Austri. Ai e pati filluar karrierën në vitin 2003 me LASK Linz.
Në vitin 2005, i ndjeri ishte zgjedhur futbollisti më i mire i ri në Austri. Andaj, atë e pati transferuar Liverpool, me të cilin ekip Besiani e pati zhvilluar vetëm një ndeshje duke i shënuar tri gola. Më pas, ai kishte disa eksperienca si huazim në ekipet nga Championship, Luton Town (2006/07) dhe Crystal Palace (2007/08).
Në janarin e vitit 2008, ai qe huazuar sërish te klubi austriak, Wacker Innsbruck. Idrizaj, i cili e pati prezantuar përfaqësuesen U-21 të Austrisë 12 herë, ishte pjesë e klubit amator FC Eilenburg. Për një periudhë të shkurtë ishte pjesë edhe Blackburn Roversit, para se të transferohej në Swansea City në verën e vitit 2009.