Basha: Gati për debat me Ramën për Tiranën
Z. Basha, Edi Rama është prej 11 vitesh kryetar bashkie. Cili është gjykimi juaj?
Nuk dua të bëj një vlerësim për kundërshtarin, nuk do të ishte etike aq më shumë që po kandidon për herë të katërt. E vetmja gjë që mund t’ju them është se unë nuk e konsideroj atë një armik, e konsideroj një kundërshtar. Duke mos e konsideruar armik, nuk i hedh poshtë kontributet e tij që mund të ketë pasur në fillim të tij si kryebashkiak.
E vetmja gjë është se kur zotëria është si kryetar i Bashkisë po ashtu edhe kryetar i PS-së, Bashkia e Tiranës ka dalë në plan të dytë dhe në plan të parë të tij është PS-ja... Unë mendoj që qyteti ka nevojë për një bashki dhe kryetar bashkie.
Po Edi Rama konsideron armik dhe kundërshtar vetëm Sali Berishën. Ju nuk ju konsideron fare...
Cila ishte pyetja?
A keni ndonjë koment?
...Për mua e vetmja betejë në këtë garë janë betejat për qytetarin e Tiranës... Këtu në Tiranë problemet më të mëdha janë akumuluar në masën më të madhe pikërisht për shkak të lënies pas dore të punëve të qytetarit për shkak të betejave politike...
Në vitin 2000-2003 kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e konsideroi të panevojshëm Parlamentin, sepse, sipas tij, vetëm prodhon politikë dhe doli me lopatë në dorë dhe bënte punën e bashkisë. Në logjikë jeni aty, vetëm se nuk po përdorni termat. Gjithsesi jeni njeri tërësisht politik, keni gjashtë vjet që jeni pjesë e qeverisjes, si pretendoni që të shkëputeni nga marrëdhëniet me politikën te marrëdhëniet me qytetarin?
Unë jam Lulëzim Basha dhe natyrisht kam një arkiv të veprimtarisë, sime për të cilën jam krenar dhe nuk mund ta fsheh, por unë po ju them gjithashtu se jam zhveshur nga funksionet politike, kam dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit, nga mandati i deputetit dhe kam përqafuar këtë sfidë në emër të një force politike, PD-ja, së cilës i përkas me krenari ... Unë po them që betejat politike kanë marrë peng qytetin, unë po them që betejat politike dhe të qenit si kryetar i baskisë, ashtu edhe kryetar i partisë më të madhe të opozitës, e kanë lënë bashkinë në funksion të një beteje politike të kryetarit të partisë më të madhe të opozitës. Dhe këtë e vuan çdo qytetar. Ndaj unë po flas për një lloj të ri qeverisje vendore dhe kryebashkiaku dhe ju duhet të më gjykoni në bazë të asaj që ofroj për qytetin... Unë kam qenë parlamentar dhe në fakt kam respekt të madh për parlamentarizmin, saqë në këtë kuadër unë mezi pres që këshilli i ardhshëm bashkiak të zhvillohet në nivelin më të lartë të mundshëm. Natyrisht, unë do ofroj një model tjetër në këshillin e ardhshëm bashkiak, që edhe opozita t’i përgjigjet kësaj kulture të re...
Ku ndryshoni ju nga z. Rama? Pse jeni ndryshe?
Më të thënë të drejtën, z. Peka, ... po flasim për qytetin. Më ke thirrur të flasim për qytetarin apo më ke thirrur të flasim për z. Rama...
Te Blendi Fevziu ju jeni shprehur se jeni kundër prishjes së Piramidës. Ka një vendim të Kuvendit për ta prishur dhe ju e keni votuar z. Basha atë, ka edhe një konkurs ndërkombëtar për ta ndërtuar Parlamentin e ri dhe ka një kosto për të. Kur e kuptuat që kjo ndërtesë nuk duhet të prishet?
... Unë nuk jam për prishjen. Nuk kam qenë asnjëherë për prishjen, përveçse si pjesë e ndërtimit. Në rastin e Piramidës duhet të sqaroj dhe me tej se, nëse Kuvendi i ri duhet të ndërtohet, absolutisht duhet të ndërtohet, dhe nëse Piramida është vendi i duhur atëherë duhet të ndërtohet aty. Për mendimin tim nuk është ndonjë objekt me rëndësi të veçantë historike, sepse në memorien time nuk ka pasur asnjë akt të rëndësishëm historik që të shkruhet te Piramida dhe aktualisht për shkak të neglizhimit 20-vjeçar nga të gjitha llojet e pushteteve vendore dhe qendrore, të majta dhe të djathta, nuk mendoj se paraqet ndonjë vlerë arkitektonike të veçantë, por përsëri unë them se personalisht nuk jam për prishjen e Piramidës, por absolutisht jam për ndërtimin e Parlamentit të ri. Ky është pozicioni im.
Por parlamenti i ri do të ndërtohet aty z. Basha. Keni votuar për ndërtimin e Kuvendit të ri dhe prishjen e Piramidës, po apo jo?
Ka pasur një proces vendimmarrje të Kuvendit, i cili mesa di ka pasur edhe elementët e vendosjes së Kuvendit, natyrisht unë i jam bashkëngjitur vendimit politik të grupit që unë i përkas, grupit parlamentar të PD-së, ku kam qenë anëtar dhe kam respektuar vendimin politik të grupit, por po ju them se si individ nuk jam domosdoshmërish për prishjen e Piramidës, por jam domosdoshmërish për ndërtimin e Kuvendit të ri të Shqipërisë...
A jeni gati të përballeni publikisht në një debat me Edi Ramën?
...Në çdo rast... unë i them z. Rama të zgjedhë cilindo format televiziv, cilindo moderator për të diskutuar mbi problemet e qytetit... një përballje të vizioneve tona. Kontributi do të jetë për qytetin dhe për qytetarinë...
Marrë me shkurtime nga emisioni “Fakt”