Raporti i ODIHR: Zgjedhjet transparente, situata e polarizuar
Misioni vëzhgues publikon vlerësimet për Kolegjin Zgjedhor dhe KQZ-në sa i takon procesit në tërësi dhe zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin përfundimtar për zgjedhjet administrative të 8 Majit 2011 në Shqipëri. Në raport vlerësohet se procesi ishte transparent dhe konkurrues, por se situata politike ishte e polarizuar e me mungesë besimi mes forcave politike në qeverisje dhe në opozitë. Misioni konstaton se mjedisi politik në prag të zgjedhjeve ishte në pikën e krizës pas shpërthimit të përplasjeve të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve antiqeveritarë më 21 Janar, ku u vranë edhe katër persona. Raporti hedh kritika mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e mbi Kolegjin Zgjedhor, por thotë se nuk kishte një bazë ligjore për të cilësuar fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar, as si të vlefshme e as si të pavlefshme. Një prej rekomandimeve kryesore të OSBE/ODIHR-it është rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta garantuar një institucion larg ndikimeve politike.
Përmbledhje
Njësoj si në zgjedhjet e mëparshme, dy partitë më të mëdha politike nuk i plotësuan detyrat e tyre elektorale në mënyrë të përgjegjshme, duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve. Ndarja e vënë re brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë përgatitjes së zgjedhjeve e dobësoi aftësinë për të tejkaluar problemet në Kodin Zgjedhor sa i takon përgatitjes së zgjedhjeve. Partitë dhe kandidatët u regjistruan në nivel lokal në një proces kryesisht gjithëpërfshirës dhe fushata ishte aktive në të gjithë vendin. Megjithatë, një numër aktesh dhune ndodhën gjatë fushatës. Teksa duket se përpjekjet për përdorimin dhe abuzimin me burimet e administratës për qëllime elektorale janë më të ulëta se në zgjedhjet e mëparshme, tentativat e organizuara për presion dhe intimidim të votuesve vazhdojnë të ekzistojnë. Pavarësisht se media është e ndarë në linja partiake, pluraliteti dhe diversiteti i tyre i lejon votuesve të zgjedhin mes alternativave të ndryshme politike. Megjithatë, ndryshe nga sa përcakton ligji, transmetuesit shpesh reflektojnë paragjykim në pasqyrimin elektoral, duke mos u dhënë sa duhet hapësirë partive të vogla. Përfshirja e grave mbetet e ulët, duke mos përmbushur nivelet e përcaktuara të përfaqësimit në listat e kandidatëve. Në ditën e zgjedhjeve procesi u zhvillua relativisht mirë në shumicën e 384 njësive vendore, por kishte mangësi të rëndësishme në 10 për qind të qendrave të votimit, sa i takon plotësimit të kërkesave ligjore. Këtu përfshihet garantimi i respektit të sekretësisë së votës dhe ruajtjes së integritetit elektoral. Teksa procesi i numërimit u vlerësua pozitivisht në përgjithësi, ai u zgjat shumë dhe në disa vende u shoqërua me shtyrje të panevojshme dhe ndërhyrje të partive politike. Në disa qendra të numërimit të votave procesi nuk iu përmbajt gjithnjë procedurave të kërkuara. Vendimet e marra pas zgjedhjeve nga KQZ-ja shkaktuan shumë tension sa i takon rezultatit për garën në Bashkinë e Tiranës e pavarësisht se u mbështetën pjesërisht nga Kolegji Zgjedhor minuan besimin se KQZ-ja ishte duke vepruar në mënyrë jopartiake e si një trupë e pavarur. Procesi i ankimimeve në periudhën pas zgjedhjeve nuk garantoi adresim në mënyrë efektive për të gjitha çështjet, pavarësisht se Kolegji Zgjedhor anuloi zgjedhjet në disa zona për shkak të parregullsive. Në kontrast, apelimet në periudhën para-zgjedhore u karakterizuan nga një mënyrë që garantoi adresimin e tyre efektiv.
Disa veprime janë në kundërshtim me standardet dhe me praktikat e mira zgjedhore. Për shembull dy partitë e mëdha kanë të drejtën të përjashtojnë një gjyqtar nga shorti i caktimit të trupit të Kolegjit Zgjedhor, çka minon besimin te pavarësia e sistemit të drejtësisë. Mangësi dhe paqartësi të rëndësishme sa i takon zgjedhjeve vendore janë vënë re në Kodin Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu përgatitjet teknike për zgjedhjet në përgjithësi në një mënyrë transparente. Megjithatë, zhvillimet politike ndikuan në funksionimin e tij, çka bëri që disa vendime të merren me shumicën e thjeshtë. Komisionerët e nivelit të ulët punuan në një mënyrë kolegjiale, megjithatë disa afate u tejkaluan për shkak të dështimit të partive në përmbushjen e detyrimeve ligjore. Autoritetet bënë përpjekje të konsiderueshme për të eliminuar publikimet dhe ulën numrin e tyre në listën e votuesve. Pavarësisht kësaj, shqetësimet për listën e votuesve vazhdonin të ekzistonin. Mungesa e një regjistrimi dhe dokumenteve të identifikimit për komunitetin rom dhe egjiptian vazhdonin të mbeteshin një problem. Në një proces gjithëpërfshirës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi 4 617 vëzhgues nga 19 organizata jo qeveritare. Raportimi i disa prej këtyre grupeve rriti transparencën e procesit zgjedhor. Përfaqësues të partive dhe koalicioneve ishin të pranishëm në pothuajse të gjithë qendrat e numërimit të votave. Pavarësisht se kishte aspekte të rëndësishme të zgjedhjeve që krijojnë premisa për përmirësim dhe progres në të ardhmen, kjo është e kushtëzuar nga vullneti i të gjitha partive parlamentare për t’u angazhuar në kuadër të reformës zgjedhore. Kjo duhet të arrihet në bashkëpunim me autoritetet e qeverisjes, administrata zgjedhore dhe shoqëria civile. Në këtë linjë, OSBE/ODIHR-i ofron një numër rekomandimesh për përmirësime të mëtejshme, që mund të konsiderohen së bashku me rekomandimet e mëparshme në raportet e OSBE/ODIHR-it. OSBE/ODIHR-i vazhdon të jetë i gatshëm të japë mbështetjen e tij për reformën zgjedhore në Republikën e Shqipërisë.
Administrata
Misioni i vëzhgimit mori një numër denoncimesh për ushtrim presioni ndaj punonjësve shtetërorë, përfshirë mësuesve, mjekëve apo studentëve, për të marrë pjesë në fushatën e Partisë Demokratike ose për të mos marrë pjesë në aktivitetet e opozitës. Ky presion përfshinte kërcënime me humbjen e vendit të punës apo nota të ulëta për studentët. Misioni verifikoi disa raste në Tiranë, Kukës, Elbasan, Vlorë dhe Korçë. P.sh. Mësuesit në Vlorë dhe Kamëz u urdhëruan të marrin pjesë në mitingjet e Partisë Demokratike. Nxënësit e shkollave në Kukës apo studentët e universitetit në Korçë u detyruan nga mësuesit e tyre të merrnin pjesë në fushatën e PD. Punonjësve të spitalit në Elbasan ju kërkua të merrnin pjesë në mitingjet e PD. E njëjta gjë edhe për nëpunësit civilë në ministri në Tiranë, të cilëve departamentet e burimeve njerëzore u kërkuan të merrnin pjesë në mitingjet e PD dhe pjesëmarrja e tyre ishte kontrolluar.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike që të dyja dëshmuan se punonjësve të sektorit publik iu kërkua, ashtu sikurse edhe familjarëve të tyre, të dhëna personale për vendin e votimit në formë presioni. Misioni verifikoi disa raste në Elbasan dhe në Tiranë.
Kryeministri Sali Berisha kërkoi në mbledhjen e qeverisë të 29 prillit që të mos kishte presione ndaj administratës, duke i lënë të lirë të marrin pjesë në fushatën që duan dhe të votojnë atë që duan. Kryeministri lëshoi edhe një urdhër që zyrtarët lokalë të mos përdornin burimet e administratës e në veçanti makinat për qëllime fushate. Megjithatë, misioni vëzhgoi një numër të limituar në të cilën zyrtarët e qeverisë dhe kryebashkiakët që kërkonin rikonfirmimin përdorën burimet e administratës për qëllime fushate.
Votimi dhe numërimi
Procesi i votimit u cilësua pozitiv nga vëzhguesit në 90% të rasteve të vëzhguara në ditën e votimit. Problemi në 10% tjetër kishte të bënte me natyrën teknike. Misioni konstatoi zhvillimin dhe mbylljen pozitivisht të procesit në 56 nga 72 qendra votimit që vëzhgoi në momentet e mbylljes së procesit. Në disa raste gjithsesi kishte probleme me mos firmosjen e listës së votuesve, mos numërimin e fletëve apo mos përgatitjen e materialeve zgjedhore. Misioni ndoqi procesin e numërimit të votave në 1020 qendra votimi. Ai u konsiderua negativ në 14% të tyre. Procesi i numërimit u shoqërua me tension në 22 qendra numërimi dhe prezenca personash të paautorizuar në 30 të tjera.
Procesi në Tiranë
Numërimi i votave për kryebashkiakun e Tiranës dhe Këshillin nuk përfundoi deri më 14 maj, thuajse një javë pas ditës së zgjedhjeve. Pas përfundimit të numërimit, rezultatet paraprake që misioni mori nga KQZ nxirrnin zotin Rama (PS) me 10 vota më shumë se zoti Basha (respektivisht 124 623 dhe 124 613 vota). Zoti Rama deklaroi fitoren shumë shpejt, ndërsa zoti Basha tha se do të priste rezultatin zyrtar nga KQZ. Teksa procesi i numërimit të kutive në Tiranë për minibashkitë vazhdonte, zyrtarët e PD kërkuan të konsideroheshin të vlefshme fletët e hedhura në kutitë e gabuara bazuar në nenin 117, pika 3 e Kodit Zgjedhor, që liston kushtet për pavlefshmërinë e votës, por nuk thotë se ato që hidhen gabimisht janë të pavlefshme. PS kundërshtoi fuqimisht, duke pohuar se fletët e gjetura në kutinë e gabuar janë konsideruar sistematikisht të pavlefshme deri në atë moment, në zgjedhjet e vitit 2011 dhe të mëparshmet. PS kërkoi tabulimin e rezultateve të 11 KZAZ-ve në përputhje me Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor nuk rregullon direkt vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë tjetër nga ajo që korrespondon për llojin e zgjedhjeve për atë kuti. Ashtu sikurse nuk përmban procedura për rikonsiderimin e këtyre fletëve. Nuk kishte vendim KQZ-je apo instruksione referuar kësaj çështjeje përpara ditës së votimit, pavarësisht se votat e hedhura gabim ishin një çështje e ndeshur edhe më parë. KQZ miratoi manualin për numërimin por nuk adresoi këtë problem. Grupet e numërimit ishin trajnuar për të konsideruar fletë të tilla më parë si të pavlefshme dhe duket se kjo kishte ndodhur në të gjithë vendin, përfshirë Tiranën deri në përmbylljen e numërimit për kryebashkiakun më 14 maj. Më 17 maj kreu i KQZ propozoi një draft që konsideronte si të vlefshme fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar dhe se ato mund të numëroheshin vetë nga KQZ. Referuar kreut të KQZ, ky draft ishte propozuar nga kërkesat e ardhura nga komisionerët e PD dhe LSI në 7 KZAZ-të e Tiranës. Më 18 maj KQZ nisi hapjen e kutive në rolin e një KZAZ-je, pavarësisht se nuk u bë publik një dokument që të jepte bazën ligjore për një veprim të tillë. Drafti jo zyrtar i propozuan nga kreu i KQZ nuk ofroi bazën ligjore për veprimet e KQZ, por listoi një llojshmëri nenesh të cilat nuk duket se lidheshin direkt me veprimin e KQZ-së. KQZ nisi hapjen e kutive menjëherë pas votimit të draftit në parim, çka tregoi se kutitë tanimë ishin sjellë në mjediset e KQZ-së. Gjatë procesit të rikonsiderimit të fletëve KQZ hapi 117 kuti në 9 nga 11 KZAZ-të e Tiranës. KQZ nuk numëroi vetëm fletët e kontestuara, por edhe ato të deklaruara të pavlefshme gjatë numërimit. Më 23 maj KQZ miratoi draftin pasi kishte kryer veprimet dhe iu referua një baze ligjore tjetër nga ajo e cituar më 18 maj. Të njëjtën ditë KQZ deklaroi fitues për garën e Tiranës, me avantazh 81 vota për zotin Basha ndaj zotit Rama. Rezultati i deklaruar nga KQZ përmbante 870 vota më shumë se firma në listën e votuesve. KQZ nuk miratoi kërkesën e anëtarë të propozuar nga PS për të hetuar këtë çështje. Fakti se anëtarët e propozuar nga mazhoranca në KQZ vendosën të numërojnë disa (jo të gjitha) fletë të hedhura gabim, në mënyrë jokonsensuale, pasi rezultatet paraprake ishin bërë të njohura, dhe pa marrë një vendim që mund të ankimohej në Kolegjin Zgjedhor, krijoi perceptimin se ata po vepronin në favor të mazhorancës qeverisëse. Pavarësisht se vendimet u mbështetën pjesërisht nga Kolegji, veprimet e KQZ minuan besimin tek aftësia për të funksionuar në mënyrë jo partiake e të pavarur. Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën për rrëzimin e vendimit nr.709 të KQZ. Vendimi përmbante kontradikta dhe boshllëqe në arsyetim: për shembull, Kolegji tha se vendimi 709 nuk ishte një akt normativ pavarësisht se konstatoi se ishte rregulluar një situatë e re. Kolegji pranoi se KQZ veproi si KZAZ, por pa qartësuar bazën ligjore. PS ankimoi vendimin 710 dhe 711, por më pas Kolegji me një vendim të paqartë e të diskutueshëm zgjati procesin e hetimit për fletët e hedhura gabim. Duke urdhëruar një hetim që asnjë nga partitë nuk e kishte kërkuar, kolegji duket se tejkaloi kompetencën e tij. Mungesa e konsekuencës në vendimin e KQZ u nënvizua nga dy prej pesë gjyqtarëve. Më 25 qershor, KQZ deklaroi Bashën fitues të garës së Tiranës pasi hapi 1 793 kuti të tjera, por tabela përmbledhëse kishte 870 fletë më shumë se votues. PS kërkoi pavlefshmëri, ndërsa KQZ e kundërshtoi për çështje procedurale. Kolegji nuk e shqyrtoi më pas çështjen në themel. Vendimi i fundit i Kolegjit ishte kontradiktor me vendimin e mëparshëm që anulonte vendimin 711 të KQZ-së. Gjykimi i ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor në çështjen e lidhur me Tiranën u shoqërua me kontradikta dhe paqartësi. Kolegji nuk e shfrytëzoi as afatin 10-ditor për marrjen e vendimit.