Të rikompozohet KQZ-ja
Raporti liston 27 sugjerime për reformën e ardhshme elektorale, duke përfshirë marrjen e masave për rritjen e besueshmërisë te KQZ-ja dhe veprimtaria e saj
Raporti i OSBE/ODIHR-it ka rreshtuar 27 rekomandime për autoritetet shqiptare, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, por edhe vlerësimet e opinionit të Komisionit të Venecias në të njëjtin vit. Së pari, misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. U kërkohet partive të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë, duke shmangur ndërhyrjen e vendimeve zgjedhore me konsideratat politike. ODIHR thotë se duhet nisur menjëherë reforma zgjedhore, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa mund të rikonsiderohet formula e kompozimit të KQZ-së, duke rritur besimin te pavarësia dhe paanshmëria e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Një tjetër rekomandim është ai i përshtatjes së afateve të regjistrimit të kandidatëve me ato të printimit të fletëve të votimit apo ankimimit. OSBE/ODIHR sugjeron amendim Kodi për të sqaruar çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, apo kur numri i fletëve të votimit dhe votuesve është i ndryshëm. Adresimi i problemit të pavarësisë së transmetuesit publik apo të shmangies së votimit familjar, janë dy prioritete të tjera. Sugjerimi tjetër është rritja e gjobës për partitë që nuk respektojnë kuotat gjinore dhe kufizimet në shpenzimet e fushatës. ODIHR thotë se duhet amenduar Kodi, duke sqaruar rolin e KQZ në raport me KZAZ sa i takon rastit të Tiranës.
Rekomandimet
1. Partitë të demonstrojnë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe zbatimin e ligjit. Të kryejnë detyrat në mënyrë të përgjegjshme në interes të Shqipërisë.
2. Reforma duhet të kryhet përpara zgjedhjeve parlamentare. Diskutimet të përfshijnë jo vetëm partitë politike, por KQZ-në, vëzhguesit etj.
3. Formula e kompozimit të KQZ-së mund të rikonsiderohet me qëllim rritjen e besimit në pavarësinë dhe paanshmërinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor.
4. Partitë duhet të respektojnë afatet e procesit zgjedhor, veçanërisht për trajnimin e komisionarëve.
5. Afatet e regjistrimit të kandidatëve të përshtaten për ato të kohës për shtypjen e fletëve të votimit dhe animimeve.
6. Kodi të amendohet sa i takon adresimit të vlefshmërisë së fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, procedurave për përfshirjen e tyre në tabelën e numërimit dhe procedurat për rastet kur numri i votave është i ndryshëm nga ai i votuesve në tabelë.
7. Të merren masa për forcimin e pavarësisë së transmetuesit publik dhe të reduktohet varësia nga buxheti i shtetit.
8. Duhet adresuar problemi i votimit familjar kryesisht te trajnimi i komisionarëve.
9. Të rritet gjoba për mosrespektimin e kuotave gjinore në listat e kandidatëve apo shkelja e kufijve në shpenzimet e fushatës.
10. Të amendohet Kodi për të specifikuar rolin e KQZ-së në raport me KZAZ sa i takon garës për kryebashkiakun e Tiranës
11. Të shmanget trajtimi preferencial për partitë parlamentare sa i takon donacioneve të fushatës.
12. Çështja e vendosjes së QV-ve në ambiente private të adresohet para zgjedhjeve të ardhshme.
13. Të krijohet një trajnim për të gjithë anëtarët e qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit.
14. Të kufizohet mundësia e zëvendësimit të komisionerëve nga partitë.
15. KQZ të përcaktojë një grafik për qendrat e numërimit të votave. Të aplikohen gjoba për refuzimin apo mungesën në detyrë të numëruesve.
16. Të saktësohet afati deri kur mund të ndërhyhet në listën finale të votuesve.
17. Të garantohet se të gjithë votuesit të kenë një adresë fikse të identifikueshme.
18. Të hetohet çdo dëshmi për përfshirje të votuesve në regjistrin civil dhe listën e votuesve në kundërshtim me ligjin.
19. Heqja e kushtit për firma mbështetësish për partitë parlamentare të jetë e vlefshme edhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.
20. KQZ-së t’i krijohet stafi dhe burimet për të hetuar financat e partive politike.
21. Të mos ketë diskriminim në hapësirën e reklamimit të paguar sa i takon partive të mëdha apo të vogla.
22. Instruksionet e KQZ të sqarojnë çdo aspekt të mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore, aktiviteteve të qeverisë, koalicioneve, partive politike etj.
23. Legjislacioni të përcaktojë si kryhet identifikimi i materialeve propagandistike të subjekteve garuese.
24. Mund të shqyrtohet mundësia e kundërshtimit të tabulimit të rezultatit të KQZ direkt para trupës gjyqësore në vend të ankimit më para në KQZ.
25. Të rriten përpjekjet për përfshirjen e komunitetit rom në jetën publike, politike dhe zgjedhje.
26. KQZ të publikojë online rezultatet paraprake të qendrave të votimit menjëherë për të rritur transparencën.
27. Numërimi i votave të bëhet në mënyrë që të gjithë vëzhguesit të shohin të gjitha aspektet e procesit.