Raporti i Progresit, udhërrëfyes për reforma

Sipas Çitakut, Raporti i Progresit 2011 për Kosovën nga Komisioni Evropian paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve njëvjeçare në vendin tonë, duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore.
Ministrja Çitaku ka thënë se Kosova ka shumë probleme të cilat duhet të adresuar me një dinamikë të përshpejtuar dhe se ky raport duhet të jetë udhërrëfyese për reforma dhe riformatizim.
“Raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve njëvjeçare në vendin tonë duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore. Raporti shënon një moment të ri për intensifikimin e reformave strukturore në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Qeveria konsideron Raportin e Progresit udhërrëfyes kyç në orientimin e politikave drejt fuqizimit të rendit dhe ligjit, rritjen ekonomike dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Çitaku.
Ndërkaq, sa i përket pyetjes se pas një varg sfidash që identifikoi raporti a duhet të shkojë dikush në shtëpi, ministrja Çitaku tha se do të insistojë që ky dokument të jetë udhërrëfyes jo vetëm për reforma, por të jetë edhe për riformatizim.
“Do të doja të jem kryeministre në këto momente, po ajo çka mund të them është që në vitin e kaluar dhe sigurisht në vitin që do të hymë, agjenda evropiane do të jetë agjenda kryesore me të cilën do të identifikohet debati dhe diskursi publik në Kosovë dhe padyshim që është agjendë rreth të cilës duhet filluar të jepen përgjegjësi. Unë e kuptoj që për këtë raport progresi mund të jap shumë shpjegime dhe arsyetime realisht ka pasur vetëm katër muaj kohë për të adresuar sfidat e raportit të progresit por në vazhdimësi unë do të insistoj që ky dokument të jetë udhërrëfyes jo vetëm për reforma por të jetë edhe udhërrëfyes për riformatizim”, ka thënë Çitaku.
Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Çitaku theksoi se ky proces është karakterizuar me miratimin e ligjeve kyçe për luftimin e këtyre dukurive, fuqizimin e institucioneve të rendit dhe ligjit, ndërmarrjen e operacioneve policore dhe procedimin gjyqësor të rasteve të profilit të lartë.
“Ndërtimin e një Kosove evropiane më shumë se Komisionit Evropian ia kemi borxh qytetarëve tanë. Ne nuk i kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në, por kemi kontratë me qytetarët për të ndërtuar një Kosovë evropiane. A ka Kosova probleme dhe sfida, natyrisht se po. Kosova ka shumë probleme kronike, shumë problem të akumuluara të cilat duhet të adresuar me një dinamik të përshpejtuar. Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës ka një qasje sistematike. Ne synojmë që të adresojmë këtë çështje qoftë përmes krijimit të infrastrukturës ligjore. Ju e dini se kemi miratuar ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, kemi miratuar ligjin për mbrojtjen e informatorëve dhe një sërë ligjesh të cilat janë të rëndësishme për të adresuar këtë sfidë”, ka thënë Çitaku.
Dialogu për viza fillon në fund të vitit
Komisioni Europian ka bërë të ditur se dialogu për liberalizimin e vizave do të fillojë në fund të vitit.
Kjo çështje është adresuar në dokumentin e Komisionit “Strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore” të cilat Komisioni ia ka komunikuar Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave.
KE ka bërë publik edhe raportin e progresit për Kosovën ku evidentohen shumë të meta në shumë fusha.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën do të kompletojë këtë proces në Ballkanin Perëndimor. Në dhjetor të vitit 2010 Këshilli ka riafirmuar këtë perspektivë nëse plotësohet të gjitha kushtet.
Për të adresuar këto kushte Kosova ka miratuar një kornizë ligjore për riatdhesim dhe ka nënshkruar marrëveshje bilaterale të riatdhesimit me 13 shtete të zonës së Schengen’it.
Ka miratuar plane të riintegrimit dhe ka vazhduar implementimin e tyre. Rrjedhimisht Komisioni do të fillojë dialogun për viza deri në fund të vitit.
Për dialogun mbi liberalizimin e vizave ka folur edhe Kaldun Sino. Ai tha se "dialogu për liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe Komisionit Evropian do të nisë në fund të vitit".
Komisioni Evropian ka dhënë zotimin edhe për lidhjen e marrëveshjeve tregtare mes Kosovës dhe BE-së.
Komisioni Evropian propozon që të nisë një dialog të strukturuar me Kosovën mbi sundimin e ligjit. Po ashtu është theksuar rëndësia që Kosova të nisë një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun.
Ndryshe, veriu është theksuar se ka paraqitur sfidë jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për vetë misionin e EULEX-it.
Në Raportin e Progresit për vitin 2011, ndër mangësitë që janë vënë në pah janë zgjedhjet e stërzgjatura dhe përsëritja e tyre. Komisioni Evropian thekson rëndësinë e dënimit të atyre që kanë bërë mashtrime në zgjedhje.
Në raport është theksuar se Kosova ka bërë përparime të kufizuara në pothuaj të gjitha fushat, por sfidë mbetet edhe më tej integrimi i serbëve të veriut, shtensionimi i situatës në veri, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimi i një administrate publike jopolitike, zbatimi i legjislacionit dhe sfida tjera që vazhdojnë ta përcjellin edhe më tej Kosovën.
Fule rekomandon që Kosova ta marrë Udhërrëfyesin për Viza
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule pritet të rekomandojë sot pasdite që Kosovës t’i jepet Udhërrëfyesi për Viza.
Kjo është konfirmuar edhe nga Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Citaku.
“Brenda këtij viti ne do ta marrim Udhërrëfyesin”, ka thënë Citaku, për Express.
Proceduralisht, rekomandimi i z. Fule pritet të diskutohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
“Këshilli i Ministrave do të mblidhet me 1 Dhjetor të këtij viti. Aty do të vendoset që Kosova ta marrë Udhërrëfyesin”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE’së në kushte anonimiteti për Express.
“Nëse gjithçka shkon në rregull, kosovarët do të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen sot një vit”, ka thënë ai.