Raporti i SHSHA- së, kreditimi i bizneseve rritet 3.7%
Sipas statistikave të fundit të Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB-së) aktivet e sistemit bankar në fund të tremujorit të tretë 2011 arritën në 1,095 miliardë lekë duke u rritur me 5% krahasuar me një tremujor më parë, në përgjigje të rritjes së aktivitetit ndërmjetësues të sistemit bankar.
Kontributin kryesor në zgjerimin e aktivitetit financiar, sipas deklaratës së SHSHB-së, e ka dhënë kreditimi i sektorit privat, i cili krahasuar me një tremujor më parë u rrit me 3.7% duke arritur në 543 miliardë lekë, dhe përbën 50% të aktiveve të sistemit.
Muaji shtator në veçanti tregon për një përfshirje më të madhe të bankave në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat. Gjithsesi, ecuria e ngadaltë e ekonomisë është reflektuar edhe në rënien e cilësisë së portofolit të kredisë duke bërë që kreditë me probleme të arrijnë në 18.4% të totalit të kredive, thuhet në deklaratë.
Sistemi bankar vazhdoi të jetë i mirë-kapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit në vlerën 14.6% në fund të shtatorit 2011, më lart se niveli minimal prej 12%.
Kapitali aksioner i sistemit bankar është rritur duke reflektuar gatishmërinë e bankave për përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe për krijimin e hapësirës për rritjen e kreditimit të sektorit privat. Po kështu burimet e financimit të aktivitetit financiar janë rritur më tej, sikurse vihet re në ecurinë e depozitave.