E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i TIA për korrupsionin, Lohan: Lajm i keq për Shqipërinë

UPDATE- Pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Suedisë për korrupsionin në Shqipëri ka reaguar edhe shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan.

Gjatë një konference për biznesin, duke e quajtur raportin një lajm të keq për Shqipërinë, Lohan ka pohuar se bizneset shqiptare janë duke u përballur me problemet e përditshme të korrupsionit teksa ndeshen me institucionet.

Sipas tij, një problem tjetër që shqetëson biznesin shqiptar është edhe ai i kostos së lartë që ai ka në ushtrimin e sipërmarrjeve të ndryshme ekonomike.

Lohan ka vënë në dukje edhe mangësinë që shkakton mungesa e Gjykatës Administrative, ligji për të cilën nuk po miratohet dot nga bojkoti i opozitës në Kuvend.

Lajm të keq për Shqipërinë e kanë quajtur ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë, raportin e publikuar dje nga TIA për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Raport që e rendiste vendit tonë shumë pas, edhe në krahasim me vende të pazhvilluara.
"Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme", - thuhet në deklaratën e përbashkët. Ambasadorët përsëritën gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit.



Korrupsioni, TIA: Shqipëria më keq se Uganda dhe Ruanda
TIRANË- Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë korrupsioni, madje më keq se një vit më parë.

Sipas raportit të 'Transparency International Albania' për indeksin e korrupsionit, vendi ynë kap pozicionin e 95-të, duke u klasifikuar më keq se vendet e pazhvilluara si Uganda dhe Ruanda.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka zbritur 10 vende në listë, duke u pozicionuar ndër vendet e fundit ne Europë.

Sipas Endri Shabanit që ka folur gjatë publikimit të raportit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, vendet e rajonit kanë probleme serioze me nivelin e korrupsionit.

Ai ka theksuar se në krye të listës renditen Zelanda e re, Danimarka, Singapori dhe Maljazia.

"Të gjithë shtetet e rajonit kanë marrë një notë më pak se 5 (nga 10 pikë të mundshme) duke treguar se ato përballen me një perceptim të lartë mbi korrupsionin në sektorin publik"- thuhet në raport.

Sipas tij, Shqipëria shënon 3.2 pikë në indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, nga 3.4 që ishte për vitin 2008, me gjashtë burime të dhënash me standardin e devijimit 0.3 (minimumi 2.8 dhe maksimumi 3.6).

Në zonën e Euro- Azisë, Shqipëria renditet e teta mes 20 vendeve. Në rajonin e Europës Jug lindore, lë prapa Bosnje - Hercegovinën. Vendin e parë në rajon e ka Turqia me 4.4 pikë e pasuar nga Kroacia 4.1.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›