Lohan: Vizat, Shqipëria ka mundësi, por duhen standardet
TIRANË- Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan pohoi se, Shqipëria ka një mundësi reale për të përfituar heqjen e regjimit të vizave, ndaj autoritetet shqiptare duhet të jenë më aktive në përmbushjen e standardeve, që kërkohen.
Ai theksoi angazhimin maksimal që duhet të tregojë qeveria shqiptare në realizimin e strategjive të hartuara në kuadër të integrimit europian të vendit. "Qeveria duhet të shkojë përtej miratimit të strategjive dhe legjislacionit," - theksoi Lohan. Gjatë fjalimit
të tij, në takimin e zhvilluar për vizat, ku ishte e pranishme edhe eurodeputetja, Tanja Fajon, Ambasadori i kushtoi një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ndërinstitucional,
si p.sh. me Prokurorinë, bashkëpunim i cili duhet të karakterizohet nga një frymë mirëkuptimi dhe jo konkurrence.
Takimin e ka përshëndetur edhe Ministri i Jashtëm,
Ilir Meta, i cili gjatë fjalimit të tij mbi arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve në 4 blloqet e Udhërrëfyesit u ndal në mënyrë të veçantë në angazhimin e qeverisë për të punuar më shumë në realizimin e plotë të këtij procesi.
"Procesi i liberalizimit të vizave ka një natyrë dinamike e cila lidhet në të njëjtën kohë me procesin e Integrimit Europian të vendit ndaj në këtë kontekst ai përben një angazhim serioz të qeverisë shqiptare", -u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme. Në fund të fjalimit të tij, Meta ftoi shoqërinë civile në një dialog të hapur dhe intensiv me autoritetet përkatëse dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces.