Berisha: Vendimi për Shqipërinë, historik. Ftoj PS-në për dialog
Kryeministri Sali Berisha reagon pas vendimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar dje vendimin e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, si vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së në këto 18 vitet e fundit për Shqipërinë. Në këto kushte, kreu i ekzekutivit ka ftuar opozitën për bashkëpunim me qellim përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Por edhe pse e cilësoi këtë proces si tepër jetik, kryeministri Berisha nuk ka lëvizur asnjë presje nga qëndrimi i tij i mëparshëm, për të mos pranuar kërkesën kryesore të opozitës, atë të hapjes së kutive të votimit. "Unë mbetem i hapur për një spektër të gjerë bashkëpunimi me zotin Rama, për ato çështje që janë dinjitoze dhe jo që rrënojnë ndërtesën e ndërtuar me kaq sakrifica.
Të pretendosh të shkelmosh mbi vendimet e gjykatave në rrugë politike, kthehem tek këshilla e një personaliteti shumë të shquar në Evropë, i cili më tha se kjo nuk mund të bëhet për asnjë çmim, për asnjë çmim.
Unë mbetem i hapur për një spektër të gjerë bashkëpunimi me zotin Rama, për ato çështje që janë dinjitoze dhe jo që rrënojnë ndërtesën e ndërtuar me kaq sakrifica",- tha Berisha. I pyetur për deklaratën e Ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, se a duhet dialog për zgjidhjen e krizës politike në vend, kryeministri Berisha
u shpreh i gatshëm për të negociuar për një pjesë të kërkesave të opozitës. "Unë e ftoj zotin Rama që nesër të dalim së bashku para jush e të përshëndesim këtë vendim. Unë kam komunikuar dhe do të komunikoj në mënyrë të pandërprerë jo vetëm me zotin Rama, por me çdo faktor, me çdo qytetar dhe me çdo udhëheqës të këtij vendi, privatisht dhe publikisht. Unë nuk e ndërpres komunikimin.
Nuk mund të ndërpres komunikimin me një kryetar të një partie kryesore opozitare, me të cilin kam një arkiv shumë pozitiv bashkëpunimi. Mos u nisni nga megafoni publik, por shikoni edhe reformat që janë promovuar dhe që janë të shumta",- tha Berisha.