E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi kandidat, BE pranon kërkesën e Shqipërisë

Eurodeputetja Tanja Fajon deklaroi se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë për të përmbushur kriteret me qellim përfitimin nga vizat


BRUKSEL- Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pranuan zyrtarisht dje kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Lajmi u njoftua mbrëmë nga presidenca suedeze e BE-së.


Ministrat firmosën një marrëveshje për të cilën ishte rënë dakord javën e shkuar nga Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Vendimi pritet t'i kalojë Komisionit Europian, që do të marrë në konsideratë kërkesën shqiptare dhe do të vlerësoje hapat e Shqipërisë. Një pyetësor do i dërgohet Shqipërisë me rreth 2000 pyetje në lidhje me ecurinë në reforma.


Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në 28 prill 2009. Nga momenti që Komisioni do të dërgojë pyetësorin qindra faqesh ndaj autoriteteve shqiptare, përllogariten afro 18 muaj deri në publikimin e opinionit të Komisionit.


Teknikisht komisioni vlerëson se i nevojiten 12 muaj, pas marrjes së përgjigjeve nga Tirana zyrtare që të vlerësojë nëse Shqipëria është ose jo në gjendje për të kaluar në fazën tjetër të procesit integrues në Bashkimin Europian.


Tanja Fajon


Për të kaluar në një fazë më lart sa i përket procesit integrues, Shqipërisë do ti duhet shumë punë dhe mjaft detyra për të plotësuar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për liberalizimin e vizave, një proces tjetër i rëndësishëm.


Ndërsa fqinjët tanë maqedonas dhe malazezë në fund të muajit dhjetor do të mund të lëvizin lirshëm në të gjitha vendet Bashkimit Europian, shqiptarët ashtu si edhe boshnjakët do të duhet të presin një vlerësim tjetër nga ana e autoriteteve europiane për ecurinë e procesit të plotësimit të kritereve integruese, që mund të ndodh vetëm në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.


Edhe një herë zyrtarë të lartë të BE-së i kanë konfirmuar dje vendit tonë sfidat që e presin në këtë proces duke i bërë të ditur se çdo gjë varet nga mundësia e shtetit shqiptar për të plotësuar kushtet e vena.


Ka qenë pikërisht eurodeputetja Tanja Fajon, hartuesja e raportit për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit, pjesëmarrëse në tryezën me temë "Regjimi pa viza për Shqipërinë - Hapat Final" organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI) nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ajo që deklaroi se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë për të përmbushur kriteret për të përfituar nga ky proces.


Duke përshëndetur këtë konferencë ajo theksoi se numri i madh i votave në favor të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës dëshmoi mbështetjen që Parlamenti Europian i ofron këtyre vendeve në procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë arsye, ajo ka theksuar se Shqipëria duhet të punojë fort për të qenë gati kur ky moment vlerësimi do të vijë.


"Është një mesazh i qartë dhe i fortë, dhe sidomos për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sepse ne nuk duam të humbim më tepër kohë për Shqipërinë, kur vendi të jetë gati, kur vendi të përmbushë kushtet", - u shpreh Fajon.


Por natyrisht ky qëllim, sipas saj mund të arrihet me angazhimin e të gjithë faktorëve, duke lënë të kuptohet qartë domosdoshmërinë e bashkëpunimit së pari të aktorëve politikë në vend. "Shqipëria duhet të përmbushë kriteret dhe të dëshmojë rezultate të prekshme. Vendi ka bërë progres, por jam e shqetësuar për bllokimin e reformave në Kuvend.


Për të qenë realiste, nëse Shqipëria ecën para, kjo do të mirëpritej nga Bashkimi Europian. Objektivi final, pra lëvizja e lirë, është përgjegjësi e qeverisë, e parlamentit dhe e opozitës", - tha Fajon. Nga ana e saj, ajo shprehu gatishmërinë e vet për të punuar në këtë drejtim edhe në të ardhmen, por kërkoi nga aktorët shqiptare argumente të forta në mbështetje të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›