E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI e Patosit bashkohet me PS-në në protestë

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ndërsa ka marrë një pjesë të mirë të pushtetit qendror, kjo falë bashkëqeverisjes me PD-në, nga ana tjetër ka lëshuar thuajse të gjithë pushtetin pjesën që kishte në pushtetin lokal. Pas largimeve të bujshme të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, atij të Urës Vajgurore, dje është shënuar një largim i ri nga radhët e saj, ai i kryetarit të Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli.


Meli ka shpallur largimin e tij nga Lëvizja Socialiste për Integrim dje gjatë protestës së Fierit, ku ai ka hipur në tribunë, ashtu si edhe ish-drejtuesi tjetër i lartë i LSI-së, Fatos Klosi. "Hapja e kutive është një betejë e ndershme, që buron nga e drejta qytetare për të jetuar në një vend demokratik.


Pozicioni im është shumë komod, të jem në krah të qeverisë, por jam i bindur se e drejta e qytetarëve është cenuar, është cenuar themeli e demokracisë dhe ndershmërisë, vota e lirë. Një qeveri e re socialiste në të ardhmen, do jetë angazhimi im maksimal.


Sot kam vendosur të dorëzoj në këtë shesh pikërisht, të gjitha ofiqet që me lidhin me LSI-në. Unë besoj se më shumë vlerë do kishte ndershmëria ime. Sëbashku me mua, dhe mijëra anëtarë të LSI-së, do i bashkohen rrugës së luftës së socialistëve", - tha Meli në fjalën e vet gjatë kësaj proteste.


Ndryshe nga largimet e tjera të mëparshme, ai Melit është i veçantë, pasi siç e theksoi edhe ai në fjalën e vet, vjen në një kohë kur LSI-ja është pjesë e pushtetit qendror. Tashmë LSI-së i ka mbetur edhe një përfaqësues në pushtetin lokal, kreu i Bashkisë së Lezhës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›