Zgjedhjet e pjesshme, PPSHr mund LSI në Berat
Kandidati i PPSHr-së, Hektor Beqollari fitoi 330 vota kundrejt kandidatit të LSI-së, Nasi Gjoka, me 316 vota
TIRANË- Zgjedhjet e pjesshme lokale të zhvilluara të dielën në pesë njësi vendore përveç bojkotit në masë të zgjedhësve shqiptarë treguan edhe një aspekt tjetër, atë të tkurrjes që ka pësuar Lëvizja Socialiste për Integrim për shkak të kalimit nga spektri i majtë në atë të djathtë.
Në një proces ku mungoi mekanizimi kontrollues i opozitës dhe ku natyrisht nuk përjashtohen manipulimet e ndryshme me numrin e votuesve, Lëvizja Socialiste për Integrim, si bashkë aleate e PD-së, ndërsa është kujdesur të rrisë numrin e votave në të gjitha njësitë, i ka shpëtuar një element tepër domethënës i zhgënjimit të qytetarëve nga pozicionimi i saj i ri në spektrin politikë. Kështu, në komunën Otllak, njësia e dytë vendore më e madhe në këto zgjedhje të pjesshme Lëvizja Socialiste për Integrim është renditur në vend të tretë ose thënë ndryshe në të fundit.
Kjo do të ishte e justifikuar në një garë elektorale kur pjesë e saj të kishte qenë PS-ja, por jo në proces ku rivali i vetëm i tyre që i ka mundur është Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar. Pra bëhet fjalë për një parti të vogël, që drejtohet nga një emër po ashtu i panjohur, Marko Dajti.
Për të folur me shifra, në këtë komunë me 10201 zgjedhës në lista, kandidati i PD-së Muharem Hoxha ka arritur të marrë 2449 vota duke siguruar vendin e kryetarit të kësaj njësi vendore dhe menjëherë pas tij vjen kandidati i PPSHr-së Hektor Beqollari me 330 vota. Ndërsa kandidati i LSI-së Nasi Gjoka është renditur vetëm i treti me 316 vota.
Pavarësisht këtij fakti, LSI-ja me anë të zëvendëskryetarit të saj, Edmond Haxhinasto, ka folur dje për suksese të LSI-së duke prezantuar rritje në mbështetje të LSI-së krahasuar me zgjedhjet e tjera nga 10 për qind më shumë në Otllak në 22 herë më shumë në Fushë-Arëz, shifra këto që flasin për një proces zgjedhor farsë. Ndërkohë, KQZ-ja ka publikuar dje rezultatet përfundimtare të arritura në pesë njësitë, ku fitues kanë dalë vetëm kandidatët e Partisë Demokratike.