Idrizi: Duam rezolutë për çamët, jemi faktor për fitoren e çdo aleance
TIRANË- Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i ka dërguar një mesazh të hapur Kryeministrit Sali Berisha se duhet të marrë parasysh kërkesat e saj, tanimë që ajo mbështetet nga 65 mijë zgjedhës dhe për pasojë është faktor kushtëzues në fitoren e çdo lloj aleance. Një ndër kërkesat e saj është edhe miratimi i një rezolute në Kuvend për çamët, për të cilën, Idrizi theksoi dje se duhet të marrë patjetër zgjidhje. “Më konkretisht ne na është premtuar nga shumica në pushtet, me të cilën ishim në koalicion, që në përputhje me detyrimet e Traktatit të miqësisë, kjo çështje do të trajtohet si duhet. Ky është minimumi që mund të bëjë qeveria dhe ne do ta shtyjmë që ajo të mos i shmanget detyrimit për të cilin është zotuar”, - tha Idrizi në takimin e zhvilluar “Java çame - Trëndafilat e Çamërisë“. Ai shtoi se: “duhet të miratojmë një rezolutë në parlament, e cila do të ketë karakter detyrues për qeverinë, pra kjo çështje nuk do të jetë thjesht detyrim mes palësh politike, por detyrim i gjithë klasës politike shqiptare. Ka ardhur koha që kjo rezolutë nuk mund të shtyhet më. Ne sot nuk jemi më një parti e vogël me dy deputetë; ne kemi 65 mijë vota në më pak se një vit jetë e 2 muaj pas bashkimit. Ne do të jemi shumë shpejt faktor real politik, i cili kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance”. Gjatë fjalës së mbajtur, Idrizi theksoi se do të krijohet një mekanizëm institucional, që do të grumbullojë të gjithë të dhënat mbi çështjen çame, duke regjistruar komunitetin, historitë personale, pretendimet pronësore, do t’i asistojë ata për zgjidhjen e këtij problemi në planin juridik, etj. “Ne po punojmë me një studio britanike, e cila po e studion problemin dhe shumë shpejt do të ofrojë zgjidhjen në detaje, nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare. Çdo angazhim i brendshëm, duhet të koordinohet me angazhimet e jashtme, sepse siç ju thashë kjo çështje nuk është çështje lokale, por është nga çështjet më të rënda ndërkombëtare të trashëguara nga Lufta e dytë botërore. Ne po punojmë për të sensibilizuar SHBA, Parlamentin Europian, duke lobuar atje për të shkuar tek një rezolutë e tyre në lidhje me këtë çështje. Këtij qëllimi i shërbeu një udhëtim yni në SHBA, dhe shumë shpejt ne do të udhëtojmë përsëri, për të shikuar frytet e asaj që mbollëm në vizitën e parë. Ne po ndjekim modelet e atyre komuniteteve që kanë pësuar gjenocid në luftërat botërore. Ne po ndërlidhemi me të gjithë ato komunitete që janë spastruar etnikisht nga Greqia në Luftën e Dytë Botërore, siç janë hebrenjtë, siç janë maqedonasit”, - tha Idrizi. Ndërsa Presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini vlerësoi rolin që ka pasur shoqata “Çamëria” në mbajtjen gjallë të traditave dhe kulturës çame, sikurse edhe në promovimin brenda dhe jashtë vendit të çështjes çame.
Java përkujtimore do të përmbajë një sërë aktivitetesh që do të përfundojnë me një marshim tradicional çam, në Qaf-Botë të Sarandës më 25 qershor.
N.Perndoj