Ruçi: Berisha, vjedh dhe dhunon për të mbajtur pushtetin

Partia Socialiste ka reaguar sot në lidhje me ngjarjen e djeshme ku u dhunua deputeti i PS-së Ilir Gjoni. Në një konferencë për shtyp kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi e lidhi ngjarjen e djeshme me skemën e manipulimit që sipas tij shteti po i bën zgjedhjeve.
“Dhuna e ushtruar nga Ilir Gjonit tregon qartë se përpara vjedhjes së votës pushteti i Sali Berishës nuk kursen asgjë, as dhunën ndaj deputetëve dhe as dhunën ndaj opozitës. Dhunë që ushtrohet pa pikë frike sepse ligji nuk ndëshkon askënd. Ky është shteti i Sali Berishës që nga një anë përgjërohet për bashkëpunim me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e republikës së frikës që të dhunojnë opozitën" theksoi Ruçi.
Ai ka akuzuar kryeministrit Berisha se po nxit kriminelët të dhunojnë të zgjedhurit e opozitës dhe për të përhapur terrorin ndërsa i ka bërë thirrje atij se kjo ngjarje nuk do të kalojë në heshtje pasi opozita nuk do ta lejojë që dhuna ndaj çdo qytetari të mos mbetet pa ndëshkuar.
“Ky pushtet i kapur nga krimi e mafia në oborrin e qeverisë, që dhunon qytetarët e sot merr guximin të ngrejë dorën mbi përfaqësuesit e popullit dëshmon se pushteti i Berishës të vjedh, të dhunon e të vret për të ruajtur pushtetin. I them sot Sali Berishës tërhiqi njerëzit nga rruga e dhunës dhe tërhiqu vet”, shtoi Ruçi.