Raporti i Topallit për Metën: Të hiqet imuniteti
Tiranë- Deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i propozojnë njëzëri Kuvendit të votojë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale të Ilir Metës. Raporti i këtij Këshilli, i cili nuk rezervoi asnjë “surprizë” për imunitetin e Metës, është firmosur nga kryetarja Jozefina Topalli dhe do të paraqitet në seancën e sotme plenare për t’u votuar. “Deputeti Ilir Meta u paraqit në mbledhjen e Këshillit të datës 14 shkurt 2011, parashtroi objeksionet e tij dhe iu përgjigj pyetjeve të bëra nga dy anëtarë të Këshillit. Në mbledhjen e Këshillit përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës parlamentare ritheksuan qëndrimin se janë të hapur dhe do të votojnë “pro” çdo kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj cilitdo deputet”, - thuhet në raportin që do t’i paraqitet Kuvendit për imunitetin e ish-zv. kryeministrit Ilir Meta. Në të citohet baza ligjore mbi të cilën është ngritur edhe kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Ilir Metës, pas hetimit të nisur mbi video-përgjimin e dorëzuar në organin qendror të akuzës, nga ish-ministri Dritan Prifti. Kryetari i LSI-së, gjatë përballjes me Këshillin, shprehu dhe një tjetër herë vullnetin për të lënë imunitetin dhe për t’u hetuar mbi akuzat e ngritura nga ish-vartësi i tij. Megjithatë, ai e cilësoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme të pabazuar në prova, ndërsa theksoi se videoja e transmetuar në emisionet “Fiks Fare” dhe “Top Story” është e montuar në mënyrë të tillë që të implikonte Metën dhe mbi bazën e saj për të organizuar demonstratën e 21 Janarit. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të paraqesë sot në Kuvend vetëm raportin për Metën, ndërsa imuniteti i Dritan Priftit pritet të hidhet në votim gjatë seancës së ardhshme