Prifti: Disa duan të më zhdukin, disa të më përdorin për interesa politike
Ashtu si edhe ish-kryetari i tij një dy ditë më parë, edhe Dritan Prifti, ish-ministri i Ekonomisë, ka shprehur dje para Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, vullnetin e tij për të lënë imunitetin dhe për t’u vënë në dispozicion të plotë të Prokurorisë, për të kryer hetimin për korrupsion pasiv. Në vetëm pak minuta, ish-nënkryetari i LSI-së ka lexuar para këtij këshilli një letër të shkurtër, ku ka sqaruar implikimin e tij në videon që ekspertët amerikanë gjetën në lap-topin e tij dhe ku ai shfaqet së bashku me ish-zv/ministrin e Ministrisë së Ekonomisë duke ndarë një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Sipas tij, në këtë akuzë nuk ka asgjë të vërtetë dhe se e gjithë kjo histori është një keqkuptim që ka lindur nga fakti se Prokuroria nuk e ka thirrur për të dhënë shpjegime për këtë video, që ai ka deklaruar se e zotëron të plotë dhe që do t’ia vërë në dispozicion organit të akuzës. Prifti ka theksuar se videon e ka filmuar me vullnet të plotë, për të vërtetuar akuzat që ai ka bërë ndaj Metës, për ushtrim presioni gjatë kohës që ai vet ushtronte detyrën e Ministrit të Ekonomisë.
Fjala e Priftit
Së pari, dua t’ju them se jam gati menjëherë të lëshoj imunitetin tim parlamentar, për t’u vënë në dispozicion të Prokurorisë, për të hetuar çdo gjë mbi videon që ata kanë përmendur në shkresën e tyre. Jam gati si deputet i këtij Kuvendi të ndryshojmë Kushtetutën tonë, për ta hequr njëherë e përgjithmonë imunitetin e deputetëve, për t’i bërë deputetët të barabartë me çdo shqiptar, në rastet e hetimeve ndaj tyre. Jam gati të firmos menjëherë, atë që kërkon grupi parlamentar i PD-së, heqjen dorë vullnetarisht prej imunitetit të deputetit përgjithmonë. Do të jem 24 orë në dispozicion të drejtësisë, sa herë të më kërkojnë, dhe sa herë të jetë e nevojshme.
Së dyti, dua t’ju deklaroj se videoja për të cilën më akuzojnë është filmuar prej meje, për të provuar presionet, tensionet, joshjet për korrupsion, dhe korrupsionin e Ilir Metës. Filmimi i një bisede me Z. Leonard Beqiri, ish-zv.ministër i METE, u bë për të dokumentuar këto gjëra, dhe hedh dritë mbi arsyet e presionit që Meta bënte ndaj meje sistematikisht. Kjo video është një kompliment perfekt për videon e parë të Metës, duke sjellë me mbi 35 minuta filmim, një tufë faktesh të reja që provojnë ato që unë kam thënë më parë. Për dyshimin që shprehet, se kam përfituar një sasi eurosh në mënyrë korruptive, ju them me garanci se do më duhet vetëm një seancë sqarimesh në Prokurori, për të zbërthyer dhe vërtetuar që faktet janë ndryshe. Unë kurrë nuk kam marrë para në shkëmbim të favoreve, që mund të vinin prej detyrës time, kurrë nuk kam përdorur postin për përfitime të padrejta; kurrë nuk kam shpërdoruar detyrën shtetërore. Unë u largova nga detyra e ministrit, sepse nuk u bëra kurrë vegël e më të fortëve, dhe nuk firmosa kurrë asnjë kërkesë, që binte në kundërshtim me ligjin. Dua me këtë rast, t’ju garantoj juve, kolegë deputetë, por dhe opinionin publik shqiptar, se kjo goditje që erdhi ndaj meje do të më ngadalësojë, por nuk do më frenoj në misionin tim, të rrezikshëm për mua, por emancipues dhe çlirues për shoqërinë tonë. Unë nuk trembem. Unë nuk tërhiqem. Kam pasur presione të jashtëzakonshme nga të gjitha krahët, për të ndaluar transparencën që i kam premtuar publikut. Disa duan të më zhdukin. Disa duan të më përdorin për interesa të tyre politike. Disa duan të shohin shfaqje dhe të argëtohen. Unë vetë dua drejtësi sociale. Unë do vazhdoj kontributin tim, për një Shqipëri të drejtë. Disa janë përpjekur të thonë se unë kam dashur ta zhduk apo fsheh këtë video, që u zbulua nga eksperti amerikan. Kur kam dorëzuar orën-kamera në Prokurori u kam sqaruar dy prokurorëve, se në orë ka pasur disa filmime, të cilat janë fshirë për shkak të memories së kufizuar të saj. Memoria prej pak GB është e kufizuar, për të mbajtur aty një arkiv të madh videosh. Por unë e kam në arkivin tim, videon për të cilën më akuzojnë dhe për provë do t’ia dorëzoj Prokurorisë që në takimin tonë të parë, dhe kurrë nuk më ka shkuar në mendje ta zhdukja këtë video. Nuk kisha pse zhdukja prova që mua më ndihmojnë të provoj ato që kam thënë për Ilir Metën. Kam denoncuar një zv.kryeministër dhe disa ministra. Kam denoncuar një kontrabandë karburantesh, të realizuar nën hundën e shtetit, Policisë, Tatimeve dhe Doganave. Kam denoncuar afera me koncesione, tenderë, privatizime apo ankande publike. Paraja e pistë është sulur kundër meje. Unë kam me vete Zotin dhe të vërtetën. Nuk ka forcë në Botë t’i mundë këto. Fjala e shenjtë thotë: “The truth will set you free”, (E vërteta do t’ju çlirojë). Si përfundim, pavarësisht se në videon e cituar nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim që të vlerësohet si i kundraligjshëm, për më tepër kur është lehtësisht e provueshme, që filmimi është bërë personalisht nga unë, dhe që në këtë mënyrë nuk ka asnjë mundësi që unë të inkriminoj vetveten, unë përsëris edhe njëherë gatishmërinë time për të dorëzuar imunitetin parlamentar, në kohën dhe mënyrën që Kuvendi gjykon.
Pyetje-Përgjigje
Rusmajli: Në parantezë, ky komision është normale, shqyrton një kërkesë të prokurorisë për dhënien e autorizimit për procedimin penal. Do të thotë se nuk është në kompetencën e këtij komisioni, të mbajë qëndrime rreth përmbajtjes së njërës nga provat që ka në dorë prokuroria. Ne nuk mund të themi asnjë konkluzion, as një opinion tonin, lidhur me atë çfarë ka videoja. Ne nuk e dimë se çfarë ka videoja. Por ju e dini! Ju me një gjest të vlerësueshëm, thatë që jeni gati të lini imunitetin tuaj, nga ana tjetër thatë që video që ka në dorë Prokuroria, që ju keni dijeni, nuk ju inkriminon aspak, dhe ju jeni në gjendje ta sqaroni atë para Prokurorisë. Dhe kjo është çështje tjetër, nuk ka lidhje me pyetjen time. Pyetja ime në këtë situatë është, kush është vlerësimi juaj? Prokuroria ka vepruar drejt, që kërkon të nisë procedimin penal, apo nuk ka vepruar drejt? Ka vepruar drejt që kërkon nga Kuvendi dhënien e autorizimit, për përshpejtimin penal ndaj jush, apo nuk ka vepruar drejt? Mund të ma sqaroni këtë?
Prifti: Dëgjo! Unë jam plotësisht i hapur deri në fund, për të dhënë sqarime dhe për t’u hetuar dhe dëshiroj të evitoj komentet për organet e hetimit por, po ju them diçka që do të ishte evituar një zhurmë kaq e madhe, një stres kaq i madh për disa njerëz, nëse Prokuroria përpara se, siç e bëri me zotin Meta, e thirri, pra shkoi ai vullnetarisht dhe e sqaroi përpara se të vinte një kërkesë këtu. Unë e mora vesh kur erdhi kërkesa në Kuvend, pra do të kisha preferuar të më kishin thirrur. Unë do të shkoja vullnetarisht, sepse nëse do të isha thirrur, e deklaroj edhe një herë që me një seancë të vetme, do të kisha provuar që këtu nuk ka asnjë çështje të kundra ligjshme dhe asnjë vepër penale, dhe nuk do të ishte nevoja për të bërë gjithë këtë që po bëhet sot. Ata nuk e bënë, tani unë jam i detyruar të zbatoj procedurat siç i ka Parlamenti.
Rusmajli: Edhe një pyetje! Edhe një gjë tjetër, që ndoshta për shkak të objektit të veprimtarisë tonë, mund të na sillet vërdallë nesër, pasnesër. Ju thatë që videoja është regjistruar nga ju, videoja nuk ju inkriminon juve, përkundrazi videoja inkriminon persona të tjerë, kushdo qofshin ata. Më bëri përshtypje një fjali, e juaja: “Këtë video që inkriminon persona të tjerë, pra që tregon të dhëna të mjaftueshme që dikush tjetër ka kryer një vepër penale, ju do ta bëni publike në një moment të përshtatshëm oportun”. Tani ka një dispozitë ...
Prifti: Nuk thashë ... . Më fal. Nuk thashë provon që dikush tjetër ka kryer vepra penale. Provon atë që unë kam thënë për Ilir Metën, që të jemi korrekt.
Rusmajli: Pra, ju nuk thatë që inkriminon të tjerë?!
Prifti: Provon atë që unë kam thënë për Ilir Metën më përpara.
Rusmajli: Dakord! Po e formuloj pyetjen drejtpërdrejt. Videon që ju keni, inkriminon persona të tjerë?
Prifti: Në gjykimin tim, në atë video ka një seri faktesh që provojnë akuza të mëparshme. Por që në vetvete, në gjykimin tim, nuk ka asnjë kundra-vajtje dhe asnjë vepër penale.