Gjykata vendos “arrest” për djalin në arrati të Xhuvanit
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për djalin e deputetes socialiste Luiza Xhuvani, i dyshuar për vrasjen e një bashkëmoshatari të tij pak ditë më parë në Qytetin Studenti. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, e cila ka marrë në dorë zbardhjen e ngjarjes, gjykata ka caktuar të njëjtën masë sigurie edhe për të dyshuarin tjetër Albi Zela, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Kostandin Xhuvanit në vrasjen e Alfred Musabelliut. Ndryshe nga sa kishte deklaruar pak ditë më parë policia, ditën e djeshme u përball me gjykatën Ermal Gjici, emri i të cilit nuk ishte përmendur asnjëherë më parë si i lidhur me këtë ngjarjes. Sipas gjykatës, Gjici do të hetohet nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e krimit pas vrasjes së 26-vjeçarit Musabelliu. Menjëherë pas ngjarjes policia e kryeqytetit tha se si autor të dyshuar kishte prangosur edhe Donald Ymerin, emri i të cilit në fakt nuk ka qenë në kërkesën që Prokuroria i drejtoi Gjykatës së Tiranës për caktimin e masave të sigurimit. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se Ymeri, i cili sipas policisë rezulton i arrestuar zyrtarisht, vetëm sa është marrë në pyetje nga policia dhe më pas është liruar, sepse ishte i pranishëm në ngjarje, por nuk kishte pasur rol në zënkën ku u përfshinë të rinjtë. Gjatë seancës së djeshme që u zhvillua me dyer të mbyllura, dy të dyshuarit nuk kanë thënë asnjë fjalë para gjykatës, pasi rrethanat e ngjarjes ku mbeti i vrarë bashkëmoshatari i tyre i kanë treguar gjatë dhënies së dëshmisë për llogari të hetimit. Përfaqësuesi i akuzës tha se tre të rinjtë kanë qenë duke festuar në ambientet e shtëpisë së Albi Zelës, në rrugën “Ali Visha”, pranë Qytetit Studenti, kur mes tyre ka nisur një grindje. Sipas akuzës, të rinjtë kanë qenë duke festuar një ditëlindje, e cila në orët e para të mëngjesit është pasuar një sherr që ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Nga hetimit dyshohet se Kostandin Xhuvani, djali i aktores dhe regjisorit Xhuvani ka qëlluar me armë zjarri drejt shokut të tij Alfred Musabelliu, i cili ka ndërruar jetë. Ndërsa menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari si autor, i shoqëruar edhe nga një shoku i tij, është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa aktualisht është person në kërkim për akuzën e vrasjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në tualetin e banesës ku ndodhi ngjarja, policia ka gjetur gjurmë gjaku që nuk i përkasin viktimës. Hetuesit dyshojnë se gjaku është i autorit të dyshuar, i cili mendohet se ka mbetur i plagosur në sherr. Gjurmë gjaku policia ka gjetur edhe në banesën e Kostandin Xhuvanit, ku dyshohet të ketë shkuar autori menjëherë pas ngjarjes, duke forcuar kështu më tepër pistën e plagosjes gjatë debatit mes të rinjve.