E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja 70 mijë euro, gati thirrja e ish-vartësit të Priftit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 16-02-2011 10:27

Tiranë- Ish-zv. ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, pritet të thirret në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë shpjegime rreth videos që eksperti amerikan Glen Bard arriti të rikuperojë në lap-topin e ish-ministrit Prifti. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan se tashmë është gati flet-thirrja për Beqirin, i cili do të japë sqarime në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Burimet sqarojnë se emri i Beqirit figuron përkrah Ilir Metës dhe Dritan Priftit në regjistrin e veprave penale, por imuniteti momentalisht pengon hetimin e ish-zv. kryeministrit Ilir Meta, dhe ish-ministrit Prifti. Të dy zyrtarët që shfaqen në video-përgjimin e realizuar nga Prifti, tashmë kanë dhënë shpjegimet e tyre për llogari të hetimit që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur në mesin e muajt të kaluar. I vetmi zyrtar që nuk ka dhënë ende dëshminë për këtë çështje është ish-zv. ministi Beqiri, i cili sipas videos së dytë, të gjetur në kompjuterin e Dritan Priftit, po ndante 70 mijë euro me ish-eprorin e tij. Ky episod i fshirë nga kompjuteri i ish-ministrit, pritet t’i kushtojë Beqirit përballjen me hetimet për akuzën e “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë”, por më parë prokurorët e çështjes do të marrin dëshminë e tij. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se thirrja e tij në Prokurorinë e Përgjithshme tashmë është vendosur, por nuk saktësohet data kur Beqiri do të paraqitet pranë akuzës qendrore për të dhënë shpjegimet e tij. “Për shkak të konfidencalitetit dhe sensibilitetit që ka çështja, prokuroria momentalisht nuk mund të bëjë me dije ditën kur ish-zv. ministri i Ekonomisë do të thirret për të dhënë shpjegime” - tha një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme për gazetën “Mapo”. Mësohet se gjithë seanca e pyetjeve ndaj Beqirit do të fokusohet mbi videon e fshirë më parë nga Prifti, e cila sipas tij zgjat 30 minuta dhe shfaq të tjera fakte tronditëse për korrupsionin në qeveri, pjesë e të cilës është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, informacioni i vetëm zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme është kërkesa që iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë për dhënien e autorizimit me qëllim hetimin e deputetëve Meta e Prifti. Sipas këtij dokumenti, shkaku përse kërkohet autorizimi për hetimin e ish-ministrit Prifti është një video që eksperti amerikan ka gjetur në lap-topin e tij personal. Pikërisht në këtë video shfaqet Prifti dhe ish-zv. ministri i tij Lenard Beqiri duke ndarë një shumë prej rreth 70 mijë eurosh. Burimi i parave, arsyeja përse kjo shumë parash përfundoi në zyrën e ish-ministrit Prifti dhe cila ishte mënyra e përfitimit të tyre, janë disa nga çështjet që pritet të hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme. Momentalisht ky institucion nuk mund të kryejë asnjë veprim hetimor, pasi dy subjektet kryesore të këtij procedimi penal janë të veshur me imunitet, dhe deri në një vendim përfundimtar të Parlamentit organi i akuzës mund të marrë vetëm deklarimet e subjekteve të përfshira nën hetimi. Në fillim të këtij viti, emisioni “Fiks Fare” transmetoi një video-përgjim, ku ish-zv. kryeministri Meta udhëzonte ish-ministrin Prifti se si duhet të zgjidhte një koncesion, një tender në “Albpetrol” dhe punësimin e dy miqve të tij. Menjëherë pas publikimit të videos, Prokuroria nisi hetimet dhe kërkoi nga autori i regjistrimit, ish-ministri Prifti, të vërë në dispozicion gjithë mjetet teknike të përdorura për këtë video. Pikërisht në lap-topin që Prifti dorëzoi në Prokurori, eksperti amerikan zbuloi edhe një tjetër video të fshirë nga ish-ministri, ku sipas Prokurorisë shfaqej ai dhe ish-vartësi i tij duke ndarë rreth 70 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›