E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i dyte U shkel afati per komisioneret

Partitë politike nuk kanë respektuar në mënyrë të plotë afatin e 23 marsit për depozitimin e emrave të kandidatëve për Komisionet e Qendrave të Votimit. Koalicioni i vëzhguesve vendorë në raportin e tij të dytë, shtatë ditë përpara zgjedhjeve lokale, kërkon nga partitë që të mos lënë për minutën e fundit zëvendësimin e komisionerëve të grupeve të numërimit, çka do të sjellë pasoja për trajnimin e 40 mijë komisionerëve.
“I bëjmë apel të gjitha partive politike t’i qëndrojnë respektimit të kuadrit ligjor në ngritjen e komisioneve të Qendrave të Votimit, trajnimit të këtyre anëtarëve në kohën e duhur dhe ngritjen e grupeve të numërimit. Apeli shkon për partitë dhe për subjektet në garë që të sjellin në kohën e duhur dhe të mos lërë në minutat e fundit zëvendësimin e komisionerëve, sidomos për grupet e numërimit” tha Gerta Meta. 

Një tjetër shqetësim i raportit të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë është ndarja e qendrave të votimit. Janë gjithsej 90 qendra të tilla me mbi 1 mijë zgjedhës. Një rast tipik është një qendër votimi në Vlorë e cila ka mbi 2000 zgjedhës, ndërkohë që kodi zgjedhor detyron ndarjen e qendrave të votimit të cilat kanë më shumë se 1000 votues.

Mungesa e reformës elektorale ka shkaktuar edhe paqartësi në ndarjen e pragut elektoral për mandatet në këshillat vendor. Një tjetër shqetësim është edhe  ndryshimi i afateve që kanë të bëjnë me printimin e fletëve të votimit, por edhe caktimin e anëtarit të katërt të grupeve të numërimit të votave.

Erjon Ajazi
Azhornuar së fundi ( e diel , 01 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›