Raporti i një akademie ushtarake dhe zhurma “si kofini pas të vjelit”

Zelli i tepruar, që edhe kur nuk ka gjëra për të cilat të sulmohet qeveria të sajohen, shkoi edhe më tej dje kur amplifikatorët antiqeveri u munduan të zhurmonin për një raport të Akademisë Ushtarake të Mbretërisë Britanike. Duke marrë fraza të shkëputura aty-këtu nga ky raport, duke i arnuar ato, bashkë edhe me komentet respektove të tipit “si ua desh qejfi”, një televizion jokombëtar, si edhe G 99-a, më shumë se asgjë demonstruan dje një mungesë koherence, e thënë ndryshe ishin shumë të vonuara në “zbulimin” e tyre “ekskluziv”.
Raporti në fjalë gjendet në web site-n e Akademisë Ushtarake të Mbretërisë Britanike (www.defac.ac.uk) që prej datës 17 dhjetor 2008. Por, për ata që këtë fakt e kishin “zbuluar” dje “ekskluzivisht”, pjesëza të këtij raporti, janë publikuar saktësisht në kronikat e një televizioni kombëtar shqiptar në 23 dhjetor 2008, akoma më saktësisht nga korrespodenti i këtij televizioni në Angli. Të nesërmen, në 24 dhjetor 2008, një gazetë kishte një kronikë të zakonshme në faqet e saj, për të njëjtin raport. Ndaj edhe zhurmimi i sforcuar i djeshëm i një televizionit jokombëtar dhe i G 99-ës, nuk ishin asgjë më shumë se sa një reagim i tipit “si kofini pas të vjelit”...
Në fakt, në fakt, nuk është edhe aq tamam kështu.
Rimarrja si “argument”, “i zbuluar”, apo “ekskluziv”, i një raporti të hershëm të Akademisë Ushtarake të Mbretërisë Britanike, synonte rikthimin e “sezonit të zhurmave”, për ato që (s’)mund të thonë ndërkombëtarët për Shqipërinë. Të dëshpëruar, skenaristët e këtyre zhurmimeve, pse në 23 e 24 dhjetor, apo edhe në ditët e mëpastajme, natyrshëm ky raport nuk pati asnjë efekt, për ca kandidatë për përfitime nga “sulmet” e tij ndaj qeverisë shqiptare u pa e arsyeshme që të rikthehet në vëmendjen e mediave sërish dje.
Për këtë, por edhe për të sfumuar iniciativën e qeverisë për të aplikuar si vend kandidat në BE, për të sfumuar iniciativën e qeverisë për të bërë Unazën e Madhe të Tiranës, që deri tani ka qenë një premtim, për të sfumuar akuzat ndaj Edi Ramës për lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit, etj., etj., ishin ngarkuar dje një televizion jokombëtar, bashkë edhe me G 99-ën, që të tentonin të devijonin vëmendjen në një lajm “të madh” antiqeveri, sepse as keqpërdorimi i “katastrofës” së Poliçanit nuk mjaftoi për t’ju kundërvënë qeverisë...