E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti mbi Kosovën në duart e anëtarëve të KS të OKB

Nju Jork – (RTK/Start)Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, mbi zhvillimet e tre muajve të fundit në Kosovë, iu është shpërndarë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ndërkaq ende nuk është e sigurt nëse do të mbahet nesër takimi i Këshillit të Sigurimit, i cili do të bënte zyrtarizimin e propozimeve që përmban ai.

Raporti i Sekretarit Ban konstaton se Kosova ka refuzuar 6 pikëshin e propozuar nga ai, mirëpo gjithashtu nënvizon se udhëheqja e Kosovës ka shfaqur vullnetin të bashkëpunojë me EULEX-in.
Si rezultat i kësaj, Sekretari Ban ka dhënë udhëzimet që personeli i UNMIK-ut në Kosovë të përgatitet për dhënien e ndihmës misionit të EULEX-it në mënyrë që ai të fillojë punën operative në Kosovë.

Raporti i Ban, për të cilin ka pasur qasje deri tash vetëm agjencia Reuter dhe nuk është zyrtarizuar dhe as shpërndarë, thekson se policia, pastaj zyrtarët doganorë dhe gjyqtarët në enklavat serbe do t'i përgjigjen UNMIK-ut, ndërkaq EULEX-i do të bashkëpunojë me udhëheqjen shqiptare në pjesët e tjera të Kosovës.

Një ndarje e tillë e veprimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë është vlerësuar si ndarje edhe “de jure”, qoftë edhe përkohësisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit unik, mirëpo në qarqet diplomatike perëndimore kjo mënyrë e shtrirjes dhe e konfigurimit konsiderohet si një kompromis.

Kompromis, sepse, siç thuhet, “Beogradi do të pajtohet, më në fund me një shtrirje të tillë, ndërkaq edhe Këshilli i Sigurimit, pas një kohë te gjatë të ndarjes dhe bllokadës, më në fund mund të miratojë një dokument koncensual për Kosovën që pritet të jetë një Deklaratë
presidenciale e cila do të zyrtarizojë propozimet e Sekretarit Ban.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në Washington, Sean McCormack tha se SHBA kanë punuar shumë afër me evropianët kur është fjala tek vendosja e EULEX-it në Kosovë dhe transferimi i pushteteve të UNMIK-it.

Ai mohoi thëniet se me propozimet e rikonfigurimit rrezikohej sovraniteti i Kosovës.
"Askush nuk po e kthen kohën prapa këtu. Kosova është një shtet sovran", tha McCormack.

Raport i shefit të organizatës botërore është pritur me mjaft interesim, sidomos pas paralajmërimit se si i tillë mund të zyrtarizojë shtrirjen e EULEX-it dhe të qartësojë qëndrimin e Sekretarit Ban rreth gjashtë pikave të tij kundërthënëse.

Ende nuk është e qartë nëse katër pikat shtesë, të propozuara nga udhëheqja e Kosovës, kanë gjetur vend në raportin zyrtar, i cili vetëm thuhet se përmban konstatimin se “Kosova ka shfaqur vullnetin të bashkëpunojë me EULEX-in”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›