Raporti në Kuvend: Mungesa e bursës “nxjerr jashtë loje” letrat me vlerë
”Bursa e Tiranës u themelua zyrtarisht më 2 maj 1996, si Departament i Bankës së Shqipërisë, e cila mendohej të zotëronte kapacitetet e duhura financiare, profesionale dhe teknike për këtë proces, me synimin e shkëputjes së saj pas një periudhe transitore disavjeçare në tri faza. Në fazën e parë Bursa e Tiranës do të konsolidonte aktivitetin dhe strukturën e saj brenda Bankës së Shqipërisë. Në fazën e dytë Bursa do të merrte statusin e një shoqërie më vete me Bankën Qendrore si pronar, dhe në fazën e tretë ajo do të kalonte në pronësi të privatëve (anëtarëve të saj). Duke qenë se ligji i Bankës së Shqipërisë nuk e lejon Bankën që të ndërmarrë aktivitete tregtare, Banka ka kërkuar që Bursa të pushojë së ekzistuari si departament i saj. Shkëputja e Bursës së Tiranës nga Banka e Shqipërisë dhe transformimi i saj në një ent të pavarur (shoqëri anonime), nënkupton një proces të tërë ku përshihen një gamë e rëndësishme çështjesh që duhen shqyrtuar dhe hapash që duhen ndjekur.
Aspekti juridik rregullohet nga amendamentet e Ligjit 8080 "Për letrat me vlerë", i cili është paraqitur pranë Kuvendit Popullor dhe priten të miratohen gjatë tremujorit të parë të vitit 2001. Ndërkohë që krijimi i Bursës si shoqëri anonime aktualisht nuk ka nevojë për rregullim ligjor sepse është i parashikuar në Ligjin 8080. Miratimi i amendamenteve do të sjellë pushimin e ekzistencës ”de jure” të Bursës si departament i Bankës Qendrore. Është e nevojshme që të ketë një periudhë transitore për transferimin e saj në shoqëri me statusin sh.a. dhe këtë nevojë e përmbush neni i fundit i amendamenteve, i cili cakton një periudhë transitore prej gjashtë muajsh. Sipas amendamenteve të Ligjit 8080, ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit që brenda gjashtë muajve nga data e miratimit të këtij ligji, të marrin masat e nevojshme për transformimin e BT në shoqëri anonime. Që Bursa e Tiranës të fillojë aktivitetin e saj të tregtimit të aksioneve, duhet të bëhen disa emetime substanciale privatizimi përmes ofertave publike për shitjen e aktiviteteve që janë të përshtatshme për listim në bursë. Në këtë drejtim është domosdoshmëri angazhimi konkret i qeverisë. Çështje mjaft e rëndësishme është edhe tërheqja e asistencës teknike dhe financiare nga donatorët e huaj. Nëse procesi i privatizimit të ndërmarrjeve strategjike do të sigurojë krijimin e një numri të konsiderueshëm aksionerësh, ata do të ndiejnë nevojën e tregut formal të aksioneve. Në këtë mënyrë bëhet domosdoshmëri konsolidimi institucional i Bursës së Tiranës”.
*Raporti i vitit 2000, i Komisionit të Posaçëm të Letrave me Vlerë, dërguar Kuvendit të Shqipërisë
19 Dhjetor 2008