Raporti në NATO. Ushtria shqiptare, sa është gati për anëtarësimin zyrtar
Tiranë - Konferenca për Integrimin e Forcave të Armatosura në NATO e dy Komandave Strategjike të NATO-s pritet të zhvillohet këtë javë, si një moment kyç për të konfirmuar nëse vendi ynë ka punuar dhe është ose jo gati për të hyrë me të drejta dhe detyra të plota në NATO. Shqipëria pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut gjatë Samitit të Strasburg-Kehl më 3 dhe 4 prill. Periudha pas anëtarësimit dhe fazës e integrimit, që e pason anëtarësimin, janë përpjekje afatgjata që kërkojnë një mbështetje të fokusuar dhe të bashkërenduar nga komandat e NATO-s dhe strukturat e saj. Që nga paraqitja e kërkesës për t’u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë bërë të gjitha përpjekjet e tyre për të mundësuar anëtarësimin. I gjithë procesi ka kaluar në fazat e mëposhtme: Faza e parë (para-ftesës) përfshin periudhën nga shprehja e kërkesës për t’u anëtarësuar në Aleancë e deri në momentin e marrjes së ftesës. Faza e dytë (para-anëtarësimit), fillon me marrjen e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO dhe përfundon në ditën kur vendi i ftuar për t’u anëtarësuar zyrtarisht i bashkohet NATO-s. Kjo fazë përfshin planifikimin dhe implementimin fillestar të çështjeve për të siguruar që Aleanca është gati të shtrijë “çadrën e mbrojtjes kolektive” mbi dhe në territorin e vendit të ftuar në ditën e pranimit. Me të njëjtën mënyrë, vendi i ftuar ka plotësuar Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe është gati të marrë role dhe detyra fillestare brenda strukturës dhe komandës së NATO-s.
Faza e tretë (integrimi) fillon në ditën e anëtarësimit zyrtar të vendit në NATO. Mbështetja strategjike dhe operacionale koordinohet dhe fokusohet për të siguruar që anëtari i ri është mirintegruar në strukturat e NATO-s dhe është në gjendje të përmbushë një numër detyrash që parashihen në Objektivat e Forcës.
Mangësitë në stërvitje dhe arsimim që lidhen me këto objektiva force janë të inkorporuara në planin e implementimit
Në janar 2009, komandat strategjike, Komanda e Aleancës për Operacionet (ACO) dhe Komanda e Aleancës për Transformimin (ACT) ranë dakord për axhendën që parashikonte se si ato mund të mbështesin pranimin dhe integrimin e vendeve të ftuara në Samitin e Bukureshtit. Konferenca për Integrimin e Forcave të Armatosura në NATO shënon dhe fillimin e implementimit të axhendës për fazën e tretë, atë të integrimit të plotë të FA shqiptare. Anëtarë stafesh dhe përfaqësues nga e gjithë NATO-ja dhe partnerët bilateralë të Shqipërisë takohen për të filluar të hartojnë dy plane implementimi. Këto plane do të shërbejnë si plan pune afatgjatë, që do të drejtojnë dhe koordinojnë dhënien e mbështetjes ushtarake Shqipërisë. Pjesëmarrës nga Komanda e NATO-s për Operacionet (ACO), Komanda e NATO-s për Transformimin (ACT), shtabet e NATO-s (Shtabi Ndërkombëtar/Shtabi Ushtarak Ndërkombëtar), Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli, në sesione të veçanta iniciuan në mënyrë më të detajuar punën në fushat e mbështetjes funksionale. Mbështetja ushtarake e planifikuar rrok fusha të tilla si doktrina, organizimi, struktura, stërvitja dhe arsimimi, materialet, lidershipi, personelin, mjediset dhe ndërveprimin. Aspektet ushtarake të anëtarësimit dhe integrimit realizohen në tri faza. Gjatë dy fazave të para (përpara anëtarësimit) Komanda e NATO-s për Operacionet (ACO) ka qenë në rolin e liderit e mbështetur nga Komanda e NATO-s për Transformimin dhe Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli.
Me fillimin e fazës së tretë (pas anëtarësimit) kjo marrëdhënie ndryshon. Komanda Supreme e Aleancës për Transformimin merr rolin e liderit. Përmes Komandës së Bashkuar në Napoli (JFC) mban rolin e liderit për koordinimin e mbështetjes në realizimin e përpjekjeve për integrimin në nivelin taktik dhe operacional.
Një mbështetje e tillë përfshin integrimin e forcave të deklaruara rishtazi, nga zhvillimi i trajnimit/stërvitjes në nivelin taktik deri në afirmimin (certifikimin) e këtyre forcave të deklaruara. Z. Ajazi
11 Mars 2009