E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plehrat e spitaleve “mbysin” Ministrinë e Shëndetësisë

Mungojnë financimet për krijimin e një strategjie për zhdukjen e mbeturinave të rrezikshme. MSH-ja, projekt me donatorët për blerjen e aparaturave për eliminimin

Emanuela Sako

Mbetjet spitalore duket se do të vazhdojnë të zënë “frymën” e të gjitha spitaleve të vendit. Eliminimi i tyre kërkon një kosto të lartë dhe Ministria e Shëndetësisë nuk është në gjendje ta përballojë një kosto të tillë. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se blerja e aparateve për eliminimin e plotë të mbetjeve ka një kosto të lartë. Aktualisht këtij dikasteri i mungojnë fondet e duhura. Për pasojë, ministrja Anila Godo ka nisur të kërkojë ndihmën e mekanizmave të huaj për të financuar këtë projekt. Sipas MSH-së, ekziston një mundësi për zbatimin e një projekti për blerjen e 6 aparateve të teknologjisë së fundit që do të shpërndahen edhe në spitalet e rretheve. Problematike mbetet çështja se çdo spital prodhon në mënyrë periodike mbetjet e veta dhe për këtë kërkohen shumë më tepër aparate.
Projekti
Ministria e Shëndetësisë do të nisë bashkëpunimin me USAID-in dhe Bankën Botërore për blerjen e gjashtë aparateve, pasi ky institucion nuk mund ta përballojë vetë blerjen e tyre. Për këtë nismë nuk është përcaktuar ende një afat, i cili do të siguronte blerjen dhe vendosjen në punë të këtyre aparaturave që pretendohet të jenë të teknologjisë së lartë. “MSH, në bashkëpunim me USAID-in dhe Bankën Botërore, pritet të nisë zbatimin hap pas hapi për strategjinë e eliminimit të mbetjeve spitalore. (Kjo edhe për arsye të një kostoje mjaft të lartë që ka qenë gjithnjë e ditur.) Sipas këtij projekt bashkëpunimi, priten 6 aparate të rinj të teknologjisë së fundit. Këto aparatura do të kenë edhe procesin e grirjes dhe të sterilizimit, gjë që e bën konform normave të BE-së edhe nga ana e ndotjes. Këto aparatura do të shpërndahen në rrethe të mëdha të vendit si në Tiranë, Korçë, etj”, - shprehen burime nga MSH-ja. Mbetjet janë një rrezik i vazhdueshëm për qytetarët pasi ato kanë përmbajtje të ilaçeve, të cilat nëse digjen njëlloj me mbeturinat e tjera lëshojnë gaze të dëmshme në atmosferë. Qytetarët që bien në kontakt me këto mbetje rrezikohen nga infeksione të ndryshme që mund t’i marrin nëpërmjet tyre. Aktualisht, djegia e mbetjeve spitalore bëhet vetëm në QSUT, por edhe në këtë rast funksioni i Inceneratorit nuk është i përhershëm. Por edhe kjo aparaturë nuk është brenda standardeve për të kryer plotësisht përpunimin e mbeturinave pa lënë gjurmë rreziku në atmosferë.
Mbetjet
Mbetjet spitalore konsiderohen si një rrezik i përditshëm për jetën e banorëve pranë spitaleve. Një studim i mjekut Adrian Hoxha, i financuar nga OBSH-ja, UNICEF-i, USAID-i etj, detajon problemet e mëdha që kanë mbetjet spitalore dhe keqmenaxhimi i tyre nga drejtuesit e spitaleve. Pjesë e këtij studimi janë bërë QSUT-ja, materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, materniteti “Koço Gliozheni”, spitali universitar i sëmundjeve të mushkërive ”Shefqet Ndroqi” dhe ISHP-ja “Hulo Hajderi”. Nga të dhënat përfundimtare, specialisti Hoxha sqaroi se përpunimi i mbetjeve spitalore kryhet pjesërisht në QSUT dhe nuk kryhet në asnjë rast në spitalet e tjera. Sipas specialistit, mbetjet e spitaleve depozitohen njëlloj si të gjitha mbetjet e tjera në kontejnerët e zakonshëm, kur trajtimi i tyre duhet të bëhet veç të tjerave. Ndërkohë që 25 për qind e këtyre mbetjeve përbëjnë rrezik për jetën e pacientëve në spitale apo për banorët e zonave ku depozitohen. Mbetje spitalore konsiderohen mjetet e mprehta me të cilat janë kryer operacionet, veshjet gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku etj. Fajin për krijimin e kësaj situate e kanë drejtoritë e spitaleve, të cilat nuk kujdesen për këtë çështje pasi baza ligjore për mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore është brenda standardeve bashkëkohore.

QSUT, shtyhen kontratat me firmat farmaceutike për furnizimin me barna

Mungesat e barnave në spitale vazhdojnë ende, por me përmasa më të vogla. Për t’i shpëtuar skandaleve, QSUT-ja ka gjetur një mënyrë tjetër për të pajisur spitalet me barna. Sipas burimeve nga QSUT-ja, pajisja e spitaleve me barna bëhet nëpërmjet shtyrjes së kontratave që kanë pasur vitin e kaluar me firmat farmaceutike për të siguruar për disa kohë blerjen e barnave. Në këtë mënyrë, firmat farmaceutike do të furnizojnë me barna përreth tre muaj, në mënyrë që të shmanget kolapsi në QSUT. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë po përgatit tenderët e medikamenteve që pritet të kryhen së shpejti. Deri në përfundimin e kryerjes së tenderëve dhe zhbllokimit të barnave nga QKKB-ja, QSUT-ja do të operojë në këtë mënyrë. Gjatë vitit të kaluar, të gjitha spitalet e vendit u përfshinë nga kriza e mungesës së medikamenteve. Pacientëve që drejtoheshin në spitale nuk mund t’u sigurohej asnjë medikament, por ata ishin të detyruar që t’i blinin të gjitha në farmacitë pranë spitaleve. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se shkak për krijimin e kësaj situate ishte bërë abuzimi me medikamentet e mbetura stok, si dhe abuzimet me fondet dhe keqmenaxhimi i tyre. Pak kohë më parë, ajo ka deklaruar se spitaleve nuk do t’u mungojnë më medikamentet dhe pritet kryerja e tenderëve për të gjitha barnat që nevojiten.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›