Shalsi: “Berisha pengon ndërtimin e katër shkollave në kryeqytet”
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka akuzuar kryeministrin si penguesin kryesor për ndërtimin e një shkolle pranë Bregut të Lumit dhe tri shkollave të tjera në kryeqytet. Ai është shprehur se trualli i Bregut të Lumit është një fakt konkret dhe rast tipik i abuzimit të Sali Berishës me trojet që i janë kërkuar nga Bashkia për shkolla. Njëkohësisht ai e ka akuzuar kryeministrin se po tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private. “Sali Berisha po mundohet të fshihet pas fjalëve të zëdhënësve, por e vërteta e hidhur e fëmijëve të pafajshëm të Bregut të Lumit është se ata dhe familjarët e tyre janë viktima të politikës së vjetër, që tjetër thotë e tjetër bën. Sali Berisha thotë se do ta bëjë shkollën, po ndërkohë shkolla s’bëhet dot se ai do ta privatizojë truallin.
Nuk është vetëm Bregu i Lumit, edhe tri shkolla të tjera të reja po pengohen, sepse Sali Berisha nuk do të na e japë truallin publik, por do ta privatizojë”, - u shpreh Shalsi.
Bashkia e Tiranës mbjell 113 pemë në kryeqytet
Në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Një qytetar- një pemë”, kryeqytetit i janë shtuar edhe 113 pemë dekorative. Kështu, punonjësit e Bashkisë kanë mbjellë pemë të tjera dekorative në katër rrugë kryesore të Tiranës. Gjatë mbjelljes së pemëve ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku, Edi Rama, i cili ka ftuar të gjithë qytetarët dhe bizneset të kontribuojnë në gjelbërimin e Tiranës. Sipas Ramës, Tirana do të ketë mjaft ambiente të gjelbra në të gjithë tërësinë e saj, pasi çdo rrugë është projektuar të ketë gjelbërimin e munguar. Pemët dekorative janë të tipit bli, manjolë, gështenjë etj. Mbjellja e pemëve ka vijuar në rrugën “Vaso Pasha”, ku u mbollën 30 gështenja me kontributin e shkollës jopublike ‘Tirana jonë”; në rrugën “Milto Tutulani” u mbollën 21 bli me kontributin e “Tirana Urban Trans”; në rrugën “Ndreko Rino” u mbollën 40 gështenja me kontributin e një kompanie private. Po kështu, mbjellja e pemëve vazhdoi edhe në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku u mbollën 22 gështenja me kontributin e një kompanie private.
11 Mars 2009