E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare shtrin efektet dhe mbi krimin shqiptar në Europë



Habjon Hasani

Tiranë - Ditë të këqija po afrohen edhe për eksponentët shqiptarë të tregut të drogës dhe prostitucionit në Europë. Ndoshta shembulli më konkret rrezatohet në Itali, ku jo rastësisht disa gazetarë italianë (në emision te RAI 3) e kanë vënë në dukje këtë fakt. Është evident dhe fakti se në pesë muajt e fundit mediat italiane nuk kalojnë asnjë ditë pa njoftuar arrestimin e eksponentëve shqiptarë në tregun e drogës në Itali.
Raporti
Njoftimet mbi kapjen apo shkatërrimin e organizatave ekstrakomunitare të tregut të zi në Itali duket se janë thjesht dhe vetëm pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë edhe këtë vend, ndërsa duket se për grupet ekstrakomunitare nuk ka më aq terren veprimi sa më parë. Ekspertë italianë kanë cilësuar se droga dhe prostitucioni janë tregje luksi dhe rënia ekonomike ka sjellë dhe zvogëlimin e të ardhurave edhe në këtë treg, e, për pasojë, “lufta për ekzistencë” ka sjellë pasojat e veta edhe ndër operatorët e këtij tregu ilegal. Ndonëse nuk ka një shifër zyrtare të besueshme dhe të përafërt lidhur me efektin dhe sasinë e parave që sjellin trafikantët e drogës apo të qenieve njerëzore në Shqipëri, i sigurt është fakti se këto të ardhura nuk janë aspak për t’u nënvleftësuar. Madje ulja e të ardhurave në këtë drejtim mund të sjellë efekte edhe më të rënda në një Shqipëri ku sektori bankar e ka shpallur prekjen nga kriza, ndërsa fasonët dhe sektori i ndërtimit janë në prag të kolapsit. Sot Shqipëria po vuan mungesën e valutës në treg. Ekonomia e “cash-it” përbën një nga faktorët më të rëndësishëm të sektorit informal. Veprimet në cash përbëjnë një prej dukurive negative më të cilën përballet aktualisht ekonomia dhe financat shqiptare duke pasur një impakt jo vetëm mbi të ardhurat buxhetore të shtetit shqiptar, por edhe mbi vetë biznesin e rregullt që operon konform ligjeve. Një kosto tjetër e ekonomisë së “cash-it”, e cila lidhet drejtpërdrejtë me Bankën e Shqipërisë, ka të bëjë me faktin se sasia e madhe e parasë në qarkullim ndikon në njëfarë mënyre në uljen e efektivitetit të vendimeve të politikës monetare. Aktualisht, në vendin tonë, vetëm 1/3 e transaksioneve monetare kalojnë nëpërmjet sistemit bankar.
Paratë
Mungesa e një informacioni të detajuar mbi sasinë e parave në qarkullim e veprim, vështirëson në të njëjtën kohë edhe ruajtjen e parametrave makrofiskale brenda normave e objektivave të përcaktuara në programin e qeverisë dhe është bërë një nga pengesat kryesore për të parashikuar e programuar saktësisht zhvillimet ekonomike. Bizneset me prejardhje të dyshimtë dhe pastrimi i parave gjejnë terren të përshtatshëm në vendet ku ekonomia cash është në nivel të lartë. Me paratë cash që ruhen poshtë apo brenda dyqaneve, apo që qarkullojnë në qese e thasë plastikë, shkelësit e ligjit nuk do t’i rezistonin tundimit për t’u pasuruar brenda ditës. Pra, operimi në fshehtësi nënkupton humbje direkt që ngrenë koston e prodhimit. Kjo përfshin ryshfetet, shmangien e licencave dhe taksave, si dhe kërkimin e alternativave të sektorit privat ndaj atij publik.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›