Përpjekja e radhës për t’u flijuar, gjen vdekjen me vetëvarje e moshuara
Shkodër – Një grua në moshë të thyer i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur, ndërsa familja tha se e ndjera disa herë më parë kishte tentuar të vetëflijohej. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Vojo Kushi” të qytetit Shkodër, ku është gjetur e vetëvarur brenda ne banesën e saj 62-vjeçarja Fahrije Gruemira. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor dhe nga veprimet e kryera rezulton se shkaku i vetëvarjes është depresioni psikik. Burimet policore treguan për gazetën “Albania” se e ndjera është kuruar disa herë në spital për ketë problem. Sipas deklaratave të marra nga të afërm të saj, ajo ka tentuar edhe herë të tjera të vetëvritej.
Aksident në aksin rrugor Shkodër-Mjedë, një i plagosur
Shkodër - Në aksin rrugor Shkodër – Mjedë, në qendër të Komunës Guri i Zi, ka ndodhur një aksident me një të plagosur. Policia tha se automjeti tip “Volkswagen”, me targa SH 6990 D, me drejtues 17-vjeçarin Grisel S., lindur dhe banues në fshatin Gur i Zi, është përplasur me një motoçikletë “Yamaha” pa targa, të drejtuar nga 28-vjeçari Renato I., lindur dhe banues në Shkodër, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Si pasojë e këtij aksidenti drejtuesi i motoçikletës ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në spitalin rajonal, jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e policisë u kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme. Policia tha se drejtuesi i automjetit, Grisel S., u la të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
11 Mars 2009