Masakra e Cërrikut, 9 të pandehur në gjykatë
Tiranë- Nënë të pandehurit për Masakrën e Cërrikut pritet të shkojnë në gjykatë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas hetimeve një vjeçare përfundoi hetimet dhe dorëzoi dosjen pranë togave të zeza për gjykimin e nëntë të pandehurve që organizuan dhe shkaktuan masakrën e 23 majit të vitit 1997, ku në një pritë dogjën e vranë 6 ushtarët e Gardës së Republikës dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.
Prokurorët e çështjes Adnan Xholi dhe Anton Martini pas një hetimi të hollësishëm rindërtuan pas 11 viteve skenën e krimit, ku nëntë të pandehurit në bashkëpunim me personat e tjerë që ndodhen në hetim, ideuan, organizuan dhe më pas ekzekutuan 6 gardistët që bashkë me kolegët e tyre kishin mbërritur në Cërrik për të rivendosur qetësinë, pas sulmit të ushtruar një ditë më parë në Komisariatin e këtij qytetit.
Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi kanë organizuar personat që banonin në këtë qytezë, ku disa prej tyre janë të arrestuar ndërsa të tjerët janë nën hetim, për të pritur autokolonën që po shkonte nga Elbasani në Cërrik për të vendosur qetësinë.
Të vendosur në pritë, të pandehurit: Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi në bashkëpunim me persona të tjerë kanë qëlluar mbi autokolonën ku si pasojë kanë mbetur të vrarë: Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi të gjithë efektivë të policisë së Gardës së Republikës, ndërsa u plagosen: Gjergj Gjoka, Ded Margjoka, Ferd Laska, Pjeter Nikolli, Petrit Guda, Agron Kuliçaj, Pashk Ndreca, Dritan Hasa, Agim Biberi, Paulin (Vladimir) Ndoka, Petrit Nikolli, Luan Prenga, Fari Metaliaj, Petrit Gjoka, Pashk Doda dhe Sokol Kuça.